
Një aksident me pasoja fatale është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së shtunës në fshatin Gërdoc të Podujevës, ku një person ka humbur jetën.
Sipas informacioneve të konfirmuara nga Policia e Kosovës, në aksident është përfshirë vetëm një automjet, ndërsa dyshohet se bëhet fjalë për një vetaksident.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, i cili bëri të ditur se viktima ka pësuar lëndime të rënda dhe ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
“Policia ka pranuar informatën se në fshatin Gërdoc të Podujevës ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në aksident ka qenë e përfshirë një veturë. Si pasojë e lëndimeve të marra, një person ka humbur jetën. Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor emergjent në vendin e ngjarjes. Njësitet e Trafikut Rajonal të Prishtinës, në koordinim me prokurorin e shtetit, janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e rrethanave të këtij aksidenti”, ka deklaruar Pllana.
Në vendngjarje kanë dalë njësitet e Trafikut Rajonal, ekipet e emergjencës dhe hetuesit policorë, të cilët kanë kryer ekzaminimet e para dhe kanë mbledhur provat për të sqaruar rrethanat e aksidentit.
Me urdhër të prokurorit të shtetit janë ndërmarrë procedurat e nevojshme ligjore, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të përcaktuar shkakun që çoi në humbjen e kontrollit të automjetit.
Identiteti i viktimës nuk është bërë ende publik nga autoritetet.
Policia e Kosovës u bën apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës dhe të tregojnë kujdes maksimal gjatë drejtimit të automjeteve, me qëllim parandalimin e aksidenteve me pasoja të rënda, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
