
Vala e fuqishme e të nxehtit që ka përfshirë Evropën po vazhdon të shkaktojë pasoja të rënda, ndërsa temperaturat rekord kanë detyruar autoritetet në disa vende të marrin masa emergjente për mbrojtjen e qytetarëve.
Sipas raportimit të Reuters, të paktën 18 persona kanë humbur jetën në Francë, mes tyre edhe dy fëmijë, të cilët humbën jetën pasi u lanë brenda një automjeti në temperatura ekstreme.
Për shkak të vapës së madhe, shumë shkolla në Francë kanë pezulluar mësimin ose kanë ndryshuar oraret, ndërsa autoritetet kanë bërë thirrje që qytetarët të shmangin daljet gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Ndërkohë, në Britaninë e Madhe, meteorologët paralajmërojnë se gjatë kësaj jave mund të thyhen rekordet historike të temperaturave për muajin qershor.
Në Francë janë regjistruar temperatura rekord në disa qytete. Në Bordeaux, termometri arriti në 41.9 gradë Celsius, duke thyer rekordin e mëparshëm të regjistruar në gusht të vitit të kaluar.
Edhe në qytetin Poitiers, temperatura u ngjit në 41.2 gradë Celsius, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë atje, duke tejkaluar rekordin që kishte qëndruar që nga viti 1947.
Edhe Spanja po përballet me temperatura jashtëzakonisht të larta. Në qytetin verior San Sebastián, i njohur tradicionalisht për klimën më të freskët, temperaturat pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius, më shumë se dyfishi i mesatares historike për këtë periudhë të vitit.
Të dhënat e Reuters Climate Monitor tregojnë se Evropa ishte kontinenti që u largua më së shumti nga temperaturat mesatare historike gjatë kësaj vale të të nxehtit.
Ekspertët e klimës paralajmërojnë se ngrohja globale po ndikon gjithnjë e më shumë në kontinent. Një raport i publikuar nga Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) në muajin prill thekson se Evropa po ngrohet me një ritëm më shumë se dy herë më të shpejtë se mesatarja globale, duke e bërë atë një nga rajonet më të prekura nga ndryshimet klimatike.
Autoritetet në disa vende evropiane vazhdojnë t’u bëjnë apel qytetarëve që të shmangin ekspozimin e zgjatur në diell, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të tregojnë kujdes të veçantë ndaj fëmijëve, të moshuarve dhe personave me probleme shëndetësore, pasi temperaturat ekstreme pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
