LAJME / E Diel 6 Gusht 2023, 15:03

Tenton të vrasë gruan me sopatë, arrestohet 48-vjeçari në Elbasan

ELBASAN- Një ngjarje kriminale është parandaluar ditën e sotme në Elbasan. Mësohet se një 48-vjeçar me emrin Artur Lici në lagjen Vullnetari ka kërcënuar gruan e tij se do ta vriste më sëpatë. Gjatë kontrollit në banesën e Licit, poolicia ka gjetur një përforcues grushti si dhe 40 bimë kanabis.

Policia Elbasan informon se ‘në kuadër të operacionit “Momenti”, u vu në pranga 48-vjeçari. Sekuestrohet një sëpatë, një përforcues grushti dhe 40 fidanë narkotikë cannabis sativa të kultivuar nga 48-vjeçari, në pronën e vet. Shërbimet e Rendit dhe ato për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, sapo kanë marrë njoftim se në lagjen “Vullnetari”, një shtetas kërcënonte bashkëshorten e tij se do ta vriste me sëpatë, kanë organizuar punën dhe në kuadër të operacionit policor të koduar “Momenti”, kanë ndërhyrë menjëherë për të parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale, në këtë familje.

Si rezultat i ndërhyrjes së Policisë, u arrestua në flagrancë shtetasi A. L., 48 vjeç, banues në Elbasan. Në vijim të hetimeve të thelluara për veprimtarinë kriminale të këtij shtetasi, u sigurua informacion se 48-vjeçari, në një parcelë në pronësi e tij, në fshatin Vreshats, kishte kultivuar fidanë narkotikë. Në bazë të këtyre informacioneve, janë organizuar kontrolle në këtë pronë ku janë gjetur dhe asgjësuar 40 fidanë narkotikë cannabis sativa që dyshohet se ishin kultivuar në kubikë, nga shtetasi A. L. Shërbimet e Policisë sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sëpatën me të cilën shtetasi A. L. kanoste bashkëshorten, një përforcues grushti, si dhe disa nga fidanët narkotikë, pasi pjesa tjetër e tyre u asgjësua nëpërmjet djegies. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme’.