LAJME / E Shtunë 9 Dhjetor 2023, 15:03

Tentoi të kalojë ilegalisht katër emigrantë drejt vendit fqinj, e pëson keq 38-vjeçari

Një shtetas nga Bangladeshi ka rënë në prangat e bluve të Gjirokastrës pasi kishte tentuar të kalojë ilegalisht, kundrejt pagesës, nga Shqipëria drejt Greqisë, 4 emigrantë.

38-vjeçari nga Bangladeshi është identifikuar me inicialet M.T. dhe jeton në Kamëz.

Raportohet se 38-vjeçari kishte strehuar 4 emigrantët një natë më parë në një hotel në Tiranë.

“Si rezultat i operacionit, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 Tiranë, u vu në pranga shtetasi:

M. T., 38 vjeç, nga Bangladeshi, banues në Kamëz.        

Ky shtetas ka tentuar të ndihmojë 4 emigrantë që i kishte strehuar në një hotel në Tiranë duke i krijuar kushte per transportin që të kalonin ilegalisht kufirin e gjelbër Shqipëri-Greqi. Sapo ka vënë re shërbimet e Policisë, ai është larguar, por është identifikuar, kapur dhe vënë në pranga pas veprimeve hetimore dhe operacionale të Policisë”,- njofton policia.

Blutë raportojnë se kanë sekuestruar gjithashtu 1 celular dhe 200 euro të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.