
Pushimet janë kategoria e shpenzimeve ku shqiptarët përdorin më shumë pagesa në monedhën euro.
Sipas një sondazhi të kryer shpenzimet për pushime janë kategoria që, sipas votuesve kanë përqindjen më të lartë të pagesës në euro, me 21.88% të votave (Pyetja: Në cilat nga pagesat e listuara përdorni më së shumti monedhën Euro?)
Në fakt, kryerja e pagesave të pushimeve në Euro është e kuptueshme duke qenë se një numër në rritje i shqiptarëve i kryejnë pushimet jashtë vendit. Megjithatë, në një masë të madhe edhe çmimet e akomodimit brenda vendit janë të kuotuara në Euro.
Kategoria e dytë ku votuesit e sondazhit deklarojnë nivel më të lartë të Euroizimit është blerja e automjeteve. 17.04% e votave në sondazh vendosin blerjen e automjetev si një shpenzim që zakonisht kryhet në Euro.
Pas automjeteve, kategoria e tretë e shpenzimeve ky zakonisht shqiptarët paguajnë në Euro është blerja e pronave. 15.18% e votave në sondazh përcaktojnë blerjen e pronave si kategorinë e shpenzimeve ku përdoret më shpesh monedha europiane.
Në përgjithësi, asetet në vlerë të madhe në ekonominë shqiptare janë të kuotuara në Euro dhe nuk është surprizuese që blerja e automjeteve dhe pronave deklarohen mes kategorive të shpenzimeve me nivelin më të lartë të Euroizimit.
Edhe kategoritë e tjera të shpenzimeve të lidhura me pronën, si pagesa e qirasë apo e këstit të kredisë, rezultojnë ndër zërat më të euroizuara në buxhetet e shqiptarëve, përkatësisht me 7.96% dhe 7.44% të votave në sondazh.
Vijojnë veshjet, me 6.62% të votave, shpenzimet për arsimin, me 5.8%, shpenzimet për shëndetin, me 4.32%, bizhuteritë, me 4.02%, mobiljet, me 3.87%, ushqime/baret/restorantet, me 3.72% dhe shpenzimet kulturore (vepra arti, libra, etj) me 2.16% të votave.
Rezultatet e sondazhit konfirmojnë perceptimin se Euroizimi i ekonomisë shqiptare është i konsiderueshëm, madje edhe në shpenzimet relativisht të vogla konsumatore.
Sondazhi i mëparshëm tregoi gjithashtu se Euroizimi ka një peshë të konsiderueshme edhe në krahun e të ardhurave. 27% e votuesve në sondazh (pyetje u drejtohej individëve rezidentë në Shqipëri) u përgjigjën se i kanë të ardhurat e tyre plotësisht ose pjesërisht në valutë të huaj.
Vlerësohet se ekonomia shqiptare ka një shkallë mjaft të lartë të Euroizimit. Depozitat bankare në valutë përbëjnë 44% të parasë së gjerë, ndërsa duke pasur parasysh edhe valutën që qarkullon jashtë bankave (për të cilën nuk ekzistojnë statistika), vlerësohet se pesha e Euros kundrejt parasë totale në ekonominë shqiptare të jetë më e lartë.
Prej vitit 2017, Banka e Shqipërisë ka nisur zbatimin e një strategjie që synon të ulë nivelin e përdorimit të valutës në sektorin financiar, por deri tani rezultatet kanë qenë shumë të vogla./Monitor
