
Drejtoresha e ISHP-së zbulon parregullsi të shumta: Mungon kabllo prej 15 mijë eurosh dhe pajisje të paevidentuara
Drejtuesit aktualë të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) kanë konstatuar një sërë parregullsish në funksionimin e institucionit, përfshirë zhdukjen e një kablloje rrjeti me vlerë rreth 15 mijë euro, pajisje informatike të paevidentuara dhe kontrata të lidhura mbi fondet e planifikuara buxhetore.
Drejtoresha e ISHP-së, Marija Andonovska, deklaroi se raporti i auditimit për vitin 2024 ka konfirmuar një pjesë të mangësive të evidentuara, duke theksuar se në institut nuk ishte kryer auditim që nga viti 2017.
Sipas saj, gjatë viteve të fundit janë blerë kompjuterë, laptopë dhe telefona mobilë pa dokumentacion të qartë se ku kanë përfunduar, ndërsa janë nënshkruar edhe kontrata për shërbime telekomunikacioni me vlera dukshëm më të larta se ato të parashikuara.
Andonovska tha se janë evidentuar edhe shpenzime të larta për përfaqësim, si dhe pagesa shtesash në paga që, sipas saj, nuk kanë qenë në përputhje me dispozitat ligjore.
“Kur morëm drejtimin e institucionit gjetëm një llogari pothuajse të zbrazët. Sot, në llogarinë e ISHP-së ka rreth 150 milionë denarë dhe janë shlyer borxhe në vlerë mbi 50 milionë denarë. Shtrohet pyetja se ku kanë përfunduar mjetet që duhej të investoheshin në pajisje, diagnostikë dhe shërbime për qytetarët”, deklaroi ajo.
Drejtoresha njoftoi se do të mbajë një konferencë për media ku do të prezantojë detaje shtesë lidhur me gjetjet dhe parregullsitë e konstatuara.
Sipas saj, një pjesë e dokumentacionit tashmë është dorëzuar në institucionet kompetente, përfshirë edhe Njësinë Kundër Korrupsionit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ndërkohë, Enti Shtetëror i Revizionit ka dhënë më herët opinion negativ për raportet financiare dhe menaxhimin financiar të Institutit të Shëndetit Publik për vitin 2024, duke evidentuar një sërë mangësish në administrimin e fondeve dhe zbatimin e programeve të shëndetit publik, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
