LAJME / E Mërkurë 24 Qershor 2026, 04:04

“Është i pafajshëm”, gruaja e Ylli Zallës për ngjarjen në Rinas: RENEA shkoi për

Një reagim i fortë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga Marinela Zalla, bashkëshortja e të shumëkërkuarit Ylli Zalla, pas operacionit të zhvilluar mbrëmjen e djeshme në fshatin Zallë të Fushë-Krujës nga Policia e Shtetit dhe forcat speciale RENEA.

Në një video dhe mesazh të dërguar për JOQ Albania, ajo kundërshton në mënyrë kategorike akuzat që rëndojnë mbi bashkëshortin e saj lidhur me atentatin e ndodhur në Rinas në nëntor të vitit 2025 dhe ngre pretendime të forta se operacioni i fundit nuk kishte si qëllim arrestimin e tij, por eliminimin fizik.

Deklarata e saj vjen një ditë pasi Policia e Shtetit njoftoi se kishte zhvilluar një tjetër operacion për kapjen e 49-vjeçarit, i cili rezultoi sërish i pasuksesshëm. Sipas policisë, Ylli Zalla nuk u gjet në banesë, ndërsa gjatë kontrollit u sekuestrua një tjetër armë zjarri që dyshohet se i përket atij.

Por bashkëshortja e tij pretendon se ngjarja ka ndodhur ndryshe.

“Mbrëmjen e djeshme ka ndodhur një akt i paprecedentë. Forcat RENEA bashkë me Policinë e Komisariatit të Fushë-Krujës kanë vajtur në shtëpinë e tij dhe kanë gjuajtur me plumba drejtpërdrejt për ta vrarë. Po, kishin urdhër për ta vrarë! Kujt i intereson vdekja e tij? Kush do t’ia mbyllë gojën Ylli Zallës?”, shprehet ajo në deklaratën e saj.

Marinela Zalla pretendon se bashkëshorti i saj po akuzohet padrejtësisht për atentatin e Rinasit dhe kërkon që hetimet të fokusohen te zbardhja e plotë e asaj ngjarjeje.

“Ylli është i pafajshëm. Pse nuk hetohet ajo ngjarje makabre? Pse nuk del e vërteta? Kush i fiku dritat në mes të Rinasit për orë të tëra? Kush përfiton duke akuzuar një njeri të pafajshëm dhe duke e futur në hasmëri me persona të tjerë?”, deklaron ajo.

Sipas saj, fakti që Ylli Zalla ka precedentë penalë nuk përbën provë për përfshirjen e tij në atentatin ku humbën jetën Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani.

“Po, ka precedentë penalë. Ka bërë burg dhe e ka vuajtur dënimin. Por kjo nuk do të thotë që duhet të akuzohet për çdo ngjarje që ndodh”, shprehet bashkëshortja e tij.

Ajo paralajmëron gjithashtu se do të ndjekë rrugë ligjore ndaj mediave që, sipas saj, kanë publikuar informacione të pavërteta për bashkëshortin e saj.

“Kam nisur procedurat për të denoncuar të gjitha mediat që po shpifin mbi tim shoq. Dëmi moral dhe shpirtëror që i është shkaktuar familjes sonë është i madh”, thuhet në mesazhin e dërguar në redaksi, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE

Kjo nuk është hera e parë që familja e Ylli Zallës reagon publikisht përmes JOQ Albania.

Më 22 mars 2026, vetë Ylli Zalla publikoi një dëshmi ekskluzive nga arratia, ku mohoi kategorikisht çdo lidhje me atentatin e Rinasit. Ai pretendoi se po implikohej padrejtësisht në ngjarje dhe se po rrezikohej seriozisht jeta e tij.

Në atë deklaratë, Zalla ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si ishte hetuar atentati i 11 nëntorit 2025, ku mbetën të vrarë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani, duke pretenduar se autorët e vërtetë nuk po kërkoheshin ndërsa vëmendja ishte përqendruar tek ai.

Disa ditë më vonë, më 26 mars, JOQ Albania publikoi një tjetër video të siguruar prej tij, ku dëgjohej teksa komunikonte me një zyrtar policie dhe deklaronte se ishte i gatshëm të bashkëpunonte nëse zbardhej e vërteta e atentatit.

Nga ana tjetër, Policia e Shtetit e konsideron Zallën person në kërkim dhe e dyshon si bashkëpunëtor në atentatin e Rinasit. Gjatë disa operacioneve të zhvilluara që prej nëntorit 2025 në zonën e Zallës janë sekuestruar armë, municione dhe materiale të tjera luftarake, të cilat autoritetet dyshojnë se kanë lidhje me të.

Pavarësisht operacioneve të njëpasnjëshme, Zalla vijon të mos jetë arrestuar.

Ndërkohë, bashkëshortja e tij këmbëngul se ai është i pafajshëm dhe se do të vazhdojë të kërkojë zbardhjen e plotë të atentatit të Rinasit.

JOQ Albania publikon këtë reagim në interes të informimit publik, ndërsa thekson se pretendimet e ngritura nga Marinela Zalla përbëjnë deklarime të saj personale dhe mbetet në kompetencën e organeve të drejtësisë verifikimi i tyre.