LAJME / E Premte 5 Janar 2024, 18:06

Rishikohet taksa e shitjes së pronës

Taksa që paguhet për shitjen e banesave, e cila bazohet në sipërfaqe, vlerë tregu dhe një përqindje e cila paguhet, sipas vlerësimit nga 2 deri në 15%, tashmë do të bazohet edhe tek mosha e ndërtesës. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hartuar një udhëzim të ri, sipas të cilit, çmimet e referencës do të amortizohen me 1% në vit në varësi të moshës së ndërtesës.

“Në kuadër të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” është hartuar edhe udhëzimi i ri, lidhur me taksimin e kalimit të pronësisë, ku kemi gjetur me vend të vendosim një rregull të ri, në bazë të së cilit çmimet e referencës do të amortizohen me 1% në vit në varësi të moshës së ndërtesës.

Në daljen përballë gazetarëve, Mete shtoi se gjatë këtij viti do të ketë rishikim të çmimeve të referencës edhe në zonat bregdetare.

“Gjatë këtij viti do të ketë një rishikim të çmimeve të referencës edhe në bregdet me ndarje zonash të caktuara që do të reflektojnë rritje çmimesh në këto zona. Çmimet e referencave që përdoren në shitje. Ka disa çmime referencash që janë të pa rishikuara, ndërkohë që veçanërisht në linjën e parë bregdetare, çmimet janë shumë më të larta. Qasja do të jetë zonale, jo i gjithë qarku apo qyteti me të njëjtën vlerë, por atje ku çmimet janë rritur ndjeshëm, do aplikohet edhe një çmim reference më i lartë”, tha Mete.

Ministri i Financave foli edhe zhvillimin ekonomik të vendit për këtë vit, i cili do të mbështetet nga sektorë të tillë si, turizmi, ndërtimi dhe energjia.