LAJME / E Martë 21 Nëntor 2023, 14:02

Pukë: Rrihen me sende të forta për pronën, dëmtohet nëna e njërit prej autorëve

Dy persona kanë rënë në prangat e bluve këtë të Martë në Gjegjan të Pukës. Sipas policisë, ata janë konfliktuar me njëri-tjetrin për motive pronësie duke përdorur mjete të forta. Për pasojë, janë dëmtuar të dy autorët dhe një grua tjetër.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmë, për një konflikt mes disa shtetasve, në fshatin Gjegjan, informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pukë kanë kryer veprimet hetimore për sqarimin e rrethanave të këtij konflikti. Në vijim të veprimeve janë arrestuar në flagrancë shtetasit:

K. M., 55 vjeç dhe F. Z., 36 vjeç, të dy banues në fshatin Gjegjan, Pukë. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas janë konfliktuar për motive pronësie. Nga  përdorimi i sende të forta gjatë konfliktit mbetën të dëmtuar këta dy shtetas dhe shtetasja B. Z. (nëna e shtetasit F. Z.), e cila mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën.    Gjithashtu, në këtë konflikt dyshohet se është përfshirë edhe shtetasi K. K. (djali i shtetasit K. M.). Policia vijon punën për kapjen e tij dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të konfliktit.  Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, bën me dije policia./tvklan.al