LAJME / E Premte 16 Shkurt 2024, 21:09

"Person që i shkakton vuajtje tjetrit në mënyrë që të ndihet mirë vetë", psikologia e njohur komenton arrestimin e Altin Çokut: Nëse do të ishte vepruar me shpejtësi, ngjarja do...

Arrestimi i Altin Çokut si nxitës i vetëvrasjes së një 27-vjeçareje pasi publikoi në rrjetet sociale foto intime me të ndjerën, ka qenë në fokus të diskutimit të një emisioni, ku e ftuar ishte psikologia Jonida Haxhiu, e cila u shpreh se Çoku është një person i cili i shkakton vuajtje tjetrit në mënyrë që të ndihet mirë vetë.

“Në këtë rast e shohim si profil psikologjik, një person që i shkakton vuajtje tjetrit në mënyrë që të ndihet vetë mirë dhe nuk i vjen keq nga vuajtja e tjetrit.

Por dua ta shoh këtë rast në anën e viktimës. Persona me probleme, ky mund të jetë personalitet narcisist, por unë dua të pozicionohem në të kuptuar e këtyre personave që viktimizohen dhe gjenden në një situatë të tillë, pa shpresë, që një njeri të ketë në dorë jetën e dikujt, sikurse e pati dhe ai jetën e 27-vjeçares në dorë”, tha ajo.

Haxhiu shtoi se nëse do të ishte vepruar me shpejtësi, nëse do të ishte kryer një denoncim, ngjarja do ishte parandaluar dhe 27-vjeçarja do ishte gjallë.

“Femrat dhe personat që janë të viktimizuar mund të kuptojnë se ata mund të shpëtojnë veten dhe nëse do mërej një masë e përshtatshme, një denoncim ajo vajzë sot do ishte gjallë”, deklaroi psikologia klinike.