Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço ka folur në “Tirana Live” për arrestimin e 11 personave, pjesë e grupit të strukturuar kriminal, mes të cilëve edhe ish-drejtori i policisë së Tiranës Erzen Breçani.
Ai ka thënë se këto arrestime janë bërë në kuadër të bashkëpunimit me partnerët europian dhe hetimet kanë marrë shumë kohë. Karamuço theksoi se mbi këtë grup rëndojnë akuza kryesisht mbi lëndën narkotike kokainë dhe akuza të tjera si vrasja.
“Këto arrestime janë në kuadër të bashkëpunimit me partnerët europian që ne kemi. Ky është një hetim që ka marr kohë nga ana e vendeve europiane dhe ka nisur nga Holanda dhe deri në vendin tonë. Nuk jam në dijeni që ka nisur që nga Sky. Bëhet fjalë për një linjë trafiku që kishte dhe shqiptarë të përfshirë. Tani është marrë masa e parë dhe do të presim se si do vazhdojë.
Kryesisht është kokaina, pastaj vijnë dhe lëndët e tjera narkotike. Linja e trafikut të narkotikës është linja kryesore, më pas vijnë dhe akuza si vrasje, për shembull është ngritur tentativa për vrasjen e dy vëllezerve në Britaninë e Madhe”.
Sa i përket Breçanit, Karamuço tha se mbështetja e efektivëve të policisë ndaj grupeve kriminale nuk ka munguar asnjëherë, si në transportin e lëndëve narkotike apo dhe në mbrojtje.
“Ne po shikojmë që dhe në rastin e Laçit dhe aktual që këto grupe kanë mbështetje nga ana e efektivëve të policisë, si mbështetje në transportin e lëndëve narkotike, apo në mbrojtje. Ne presim spastrimin nga ana e SPAK, por duhet të kërkojmë dhe falje për këta shefat që kanë ndihmuar bandat në të gjithë Europën. Pra, përveç falenderimeve ne duhet të kërkojmë dhe falje për këto përfshirje”./abcnews.al