LAJME / E Martë 21 Nëntor 2023, 11:11

Operacioni i SPAK, Balla: Janë arrestuar të gjithë personat në Shqipëri, po punohet për të kapur edhe ata jashtë vendit

11 urdhër arreste lëshoi SPAK të hënën për goditjen e grupit të strukturuar kriminal. Mes të arrestuarve janë edhe oficerë dhe punonjës të Policisë. Klan News ka raportuar se mes të arrestuarve është edhe ish-zëvendësdrejtori i Rendit në Policinë e Tiranës, Erzen Breçani dhe djali i tij Eralbi Breçani (Lexo më shumë).

Në kërkim është edhe biznesmeni Ervin Mata, një emër i njohur për drejtësinë, pas përplasjes që ka patur me bosin e lojërave të fatit, Ervis Martinaj, në një lokal në ish-Bllok në vitin 2018.

Në lidhje me këtë operacion ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Sipas tij, ky aksion është konsolidimi i ngritjes në një nivel tjetër të vullnetit të agjencive ligjzbatuese për ta goditur krimin në të gjithë spektrin e tij.

Sipas Ballës, të gjithë personat që ndodhen në Shqipëri janë arrestuar, ndërkohë po vijon puna për gjetjen dhe ndalimin e personave të tjerë që ndodhen jashtë vendit.

Në një deklaratë për mediat, Balla theksoi se Policia ka arrestuar më shumë se 7 persona mbi të cilët rëndojnë akuza për vepra të rënda penale. Duke falënderuar Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të gjitha agjencitë ligjzbatuese, ai përgëzoi Policinë e Shtetit për operacionet me sukses si dhe vuri theksin te rezultatet konkrete në procesin e vetëpastrimit.

“Janë arrestuar më shumë se 7 persona, ajo që është e rëndësishme dhe unë e kam ndarë me ju dhe më herët është që pikësëpari gjej rastin të përgëzoj Policinë e Shtetit për realizimin me sukses të ndalimit të personave që ndodhen në territorin e Shqipërisë dhe të falënderoj për besimin prokurorët e SPAK. Falë këtij besimi dhe bashkëpunimi, koordinimit mes agjencive ligjzbatuese ne e kemi ngritur në tjetër nivel goditjen e krimit të organizuar, rasti në fjalë lidhet me vepër të rëndë penale. Falë këtij bashkëpunimi ne poçojmë në nivel tjteër dhe procesin e vetëpastrimit, Vatrat e bashkëpunëtorëve të krimit të organizuar, dosja në fjalë është një skaner i qartë i mënyrës se si vatra kanceroze e policisë ndër vite kanë shërbyer si shërbëtorë të krimit të organizuar. Mos harroni as koordinimin me partnerët, sepse një pjesë e operacioneve po kryhen në bashkëpunim dhe me policitë e shteteve partnere. Ndër 16 operacione që policia italiane zhvillon aktualisht me vendet e tjera, 14 prej tyre janë me policinë shqiptare”, deklaroi Balla.

Reagimi i ministrit Taulant Balla

Dje pasdite dhe gjatë natës Policia Shtetit ka finalizuar një operacion kompleks të goditjes së krimit të organizuar të përshirë në krime kundër personit dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike, rezultat konkret i hetimeve profesionale nën drejtimin e Prokurorisë Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Përgëzoj drejtuesit dhe pjesëmarrësit e Policisë së Shtetit në këtë operacion, për profesionalizmin e lartë dhe mbi të gjitha për sigurinë e plotë të informacionit sensitiv deri në finalizimin e operacionit që çoi në arrestimin e të gjithë personave që ndodhen në Shqipëri. Ndërsa vijon puna për gjetjen dhe ndalimin e personave të tjerë që ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë.

Gjej rastin t’i falenderoj dhe përgëzoj prokurorët për besimin dhe bashkëpunimin. Në rrjetën e këtij bashkëpunimi kanë rënë eksponentë të krimit të organizuar, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Policisë së Shtetit si dhe persona të tjerë bashkëpunëtorë me ta.

Ky operacion domethënës është konsolidimi i ngritjes në një nivel tjetër të vullnetit të agjencive tona ligjzbatuese për ta goditur krimin në të gjithë spektrin e tij, në funksion të rendit ligjor në të gjithë territorin.

Sot gjej rastin të rikonfirmoj besimin e plotë se forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese dhe lufta e përbashkët në vetë-pastrimin e Policisë së Shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit./tvklan.al