LAJME / E Hënë 21 Shtator 2026, 05:05

Nderron jete gazetarja e njohur, ja per cfare do mbahet mend gjate

Natacha Rey, një nga personat që ndihmoi në përhapjen në Francë të pretendimit të rremë mbi identitetin gjinor të Brigitte Macron, bashkëshortes së presidentit francez Emmanuel Macro n, ka vdekur në moshën 51-vjeçare.

Lajmin e bëri të ditur Xavier Poussard përmes një postimi në platformën X. Sipas tij, Rey vdiq më 13 shtator në qytetin Saintes, në departamentin Charente-Maritime, pas një beteje me kancerin. Vdekja e saj është raportuar edhe nga media lokale Haute Saintonge.

Poussard njoftoi gjithashtu se ceremonia mortore u zhvillua në Saintes dhe se Rey u varros në varrezat Saint-Pallais.

“Me hidhërim të madh mësuam për vdekjen e Natacha Rey, e cila ndodhi më 13 shtator në Saintes (Charente-Maritime [departamenti]) pas betejës së saj me kancerin. Natacha Rey, e cila ishte një nga të parat që raportoi për Brigitte Macron, do të varroset sot në orën 16:00 në varrezat Saint-Palais në Saintes, pas një meshe që do të fillojë në orën 14:30 në kishën Saint-Palais”, tha gazetari në një postim në X.

Emri i Natacha Rey u bë i njohur për publikun francez pas përhapjes së një teorie të pabazuar sipas së cilës Brigitte Macron kishte lindur burrë me emrin Jean-Michel Trogneux. Jean-Michel Trogneux është në fakt vëllai i Brigitte Macron. Pretendimi u përhap gjerësisht në internet dhe më pas edhe jashtë Francës. Le Monde e ka përshkruar atë si një informacion të rremë që u përhap fillimisht nga figura të skajeve politike dhe konspiracioniste.

Çështja përfundoi edhe në gjykatë. Në shtator 2024, një gjykatë franceze shpalli fajtore për shpifje Rey dhe Amandine Roy, të cilat kishin përhapur pretendimet në një video të publikuar në internet.

Megjithatë, më 10 korrik 2025, Gjykata e Apelit në Paris i liroi nga akuzat të dyja gratë. Vendimi nuk vërtetoi pretendimin e tyre për Brigitte Macron. Sipas dokumenteve të vendimit të konsultuara nga AFP, gjykata shqyrtoi nëse deklaratat përbënin shpifje sipas ligjit francez dhe nuk mori vendim që konfirmonte pretendimin mbi identitetin gjinor të zonjës Macron.

Brigitte Macron e kundërshtoi vendimin e apelit dhe njoftoi përmes avokatit të saj se do ta çonte çështjen në Gjykatën e Kasacionit.

Pretendimet mbi Brigitte Macron kanë vazhduar të qarkullojnë edhe ndërkombëtarisht. Emmanuel dhe Brigitte Macron kanë ndërmarrë veprime të tjera ligjore kundër personave që i kanë përhapur ato, ndërsa çifti presidencial francez i ka cilësuar akuzat si të rreme.