LAJME / E Mërkurë 22 Nëntor 2023, 17:05

Ndër vajzat e para të Medresesë, Basha dhe Balliu ndajnë kujtimet: Ishim 7, besimi na ka mbajtur bashkë

Në emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan, kanë qenë të ftuar 2 nga vajzat e para të cilat janë bërë pjesë e bankave të Medresesë në Tiranë, Blerta Balliu dhe Brunilda Basha.

Blerta Balliu tregoi se në fillim kanë qenë 5 veta, pasi shkolla ishte ende në faza eksperimentale e diskutohej nëse do të vazhdonte ose jo.

Por më vonë, erdhi edhe Brunilda Basha bashkë me shoqen e saj dhe ato u bënë 7 veta në një klasë.

“Ishim pesë, saqë diskutohej do të vazhdonte apo jo. Pastaj, pas një jave erdhi edhe Brunilda bashkë me një shoqe tjetër, që u bëmë shtatë. Domethënë, viti i parë ishte pak eksperimental le ta quajmë, ose më saktë drejt asaj që, a do të vazhdojë apo ishte kaq” – shprehet Blerta Balliu.

Nga ana tjetër, Brunilda Basha u shpreh se kanë ende kontakte me këto vajza dhe sipas saj, kjo lidhje mes tyre ka zgjatur kaq shumë për shkak të besimit që kanë kultivuar.

“Kur morëm vesh për lajmin e hapjes së Medresë dhe vendosa, personalisht që do shkoja, personi i parë që i kam thënë është Saseda. Saseda ka qenë medresistja e shtatë.  Saseda ka qenë shoqe klase në fillore dhe pas kësaj, në semestrin e dytë të klasës së pestë, morëm dhe 2 të tjera. Ne mbaruam në 2006-ën maturën. Pra ne filluam në klasë të pestë me shtatë veta, u bëmë nëntë deri në dymbëdhjetë në klasë të tetë. Pastaj në të mesmen u hap konkurs, sepse ambientet ishin më të përshtatshme, shkolla u rinovua, klasa do të zmadhohej. U hap konkurs, kanë marrë pjesë shumë vajza, jam shumë e sigurt, mbi 50-të. Por u përzgjodhën 22-24, ky ka qenë numri i përzgjedhur. Me këto vajza mund të them që diku tek 80% ne kemi akoma lidhje, kemi dhe grupin tonë ku mbahemi në kontakt. Pra i mbajmë akoma këto lidhje. Mendoj se lidhja më e fortë, ose shkaku kryesor, është besimi që ne ndajmë. Por çfarë do të thotë kjo? Se besimi nuk është një fjalë që ti e merr dhe kaq, është diçka që ti e kultivon. Këtë lloj besimi ne e kemi kultivuar ndër vite, me ndihmën edhe të mësueses kujdestare, mësuese Mira. Unë mendoj që ka qenë personi më multidimensional, më kyç në formimin tonë, jo vetëm si studente, por si vajza dhe si shoqe” – përfundon Brunilda Basha. /tvklan.al