LAJME / E Premte 6 Tetor 2023, 04:04

Misteri i vdekjes së 3-vjeçarit në Tiranë, deklaratat kontradiktore të familjes dhe mjekut: Çfarë ndodhi pas operacionit

Në emisionin “Opinion” në Tv Klan u trajtua vdekja e 3-vjeçarit, i cili humbi jetën disa ditë pas vizitës që kreu në klinikën dentare në pronësi të Roland Xhaxhos në Tiranë.

Gazetarja e Klan News, Glidona Daci, raportoi në emision se deklaratat e familjes së 3-vjeçarit dhe të mjekut nga ana tjetër janë kontradiktore.

Gazetarja ka marrë në intervistë xhaxhain e 3-vjeçarit, Gazment Spahia. Sipas xhaxhait, familja ka çuar nipin më datë 28 Shtator në ambientet e klinikës të mjekut Roland Xhaxo, rreth orës 10:00 të paradites dhe se në orën 10:30 fëmija është futur në sallën e operacionit.

Në deklaratën e tij, mjeku ka thënë se djali kishte infeksion të dhëmbëve dhe se duhej me patjetër të ndërhyhej për të ndërprerë infeksionin te 14 dhëmbët, të cilët duhet të pastroheshin në mënyrë që mos t’i rrezikonin jetën, pas grafisë dhe bërjes së analizave.

Por gazetarja thotë se  familjarët e 3-vjeçarit kanë deklaruar se mjeku kreu ndërhyrje në 3, 4 dhëmbë.

Një kontradiktë tjetër është pjesa e gjendjes shëndetësore të 3-vjeçarit pas ndërhyrjes kirurgjikale. Sipas deklaratës së familjarëve të të miturit, 3-vjeçari doli i përgjumur nga salla e operacionit, ndërsa mjeku pretendon se djali ishte i zgjuar kur doli, u shpreh gazetarja Glidona Daci.

Familjarët pretendojnë se nga mjekët e Pediatrisë iu është thënë se narkoza i ka dëmtuar rëndë mëlçinë dhe do të duhej që fëmija të shkonte në trajtim të veçantë spitalor për t’i nxjerrë narkozën.

“Nga ana tjetër mjeku me komunikoi se gjatë 24 orëve të para nga data 28 deri 29 kur u bë ndërhyrja fëmija ka pasur përmirësime, por më pas gjendja e tij shëndetësore është komplikuar”, raportoi gazetarja.

Sakaq do të jetë mjekësia ligjore ajo që do të ketë fjalën e fundit për arsyen e saktë të vdekjes së 3-vjeçarit. Sipas xhaxhait,  gjendja shëndetësore e fëmijës pasi u kthye në shtëpi pas operacionit u rëndua.

Ai tha se fëmijës iu rrit temperatura, u zverdh e për rrjedhojë u dërgua menjëherë në urgjencën e Pediatrisë. Gjatë fjalës së tij, moderatori, Blendi Fevziu, shprehu ngushëllimet për familjen e 3-vjeçarit.

Blendi Fevziu: Sot ka humbur jetën një djalë 3-vjeçar i cili ishte gjatë një momenti ndërhyrjeje në një klinikë dentare. Ai ka pasur ndërhyrje me anestezi sipas të dhënave të shtypit. Ai ka shkuar në gjendje kome në spitalin pediatrik të Tiranës dhe atje ka humbur jetën. Do doja një lidhje të shkurtër me Glidona Dacin nga Klan Neës e cila do të na japë informacione për ngjarjen. Dua t’i shpreh ngushëllimet familjes së djalit që ka humbur jetën në moshën 3-vjeçare. Shpresoj që ata të kenë fuqi dhe kurajo për ta kaluar këtë situatë. Në çfarë rrethanash ka ndodhur ngjarja?

Glidona Daci: Ka pasur informacione kontradiktore nga familjarët, por edhe nga vetë klinika që bëri orët e fundit. Unë kam kontaktuar xhaxhain e 3-vjeçarit, Gazment Spahia, i cili pretendon se nipin e kanë dërguar në datë 28 Shtator në ambientet e klinikës të mjekut Roland Xhaxo, aty i kanë bërë të gjitha, rreth orës 10:00 paradite, në 10 e 30 është futur në sallën e operacionit. Sipas informacioneve që morëm nga mjeku, djali kishte infeksion të dhëmbëve dhe duhej patjetër të ndërhyhej për të ndërprere infeksionin e 14 dhëmbëve, të cilat duhet të pastroheshin në mënyrë që mos t’i rrezikonin jetën, pas grafisë dhe bërjes së analizave. Në strukturat e policisë deklarimet e familjarëve dhe të mjekëve kanë kontradikta të frikshme të cilat duhet të sqarohen më vonë nga hetimet. Sipas familjarëve fëmija ka qëndruar nga ora 10:30 deri në orën 19:00  të darkës në sallën e operacionit. Ndërkohë për të bërë krahasimin e dy deklarimeve, nga ana e mjekëve më është konfirmuar që anestezia ka zgjatur katër orë dhe tre orë të tjera ka qëndruar në observim. Problematika tjetër në lidhje me deklarimet e dy palëve, familjarët pretendojnë se në momentin që djali ka dalë nga klinika nuk ishte i vetëdijshëm, nuk i kishte dalë narkoza, ndërkohë që xhaxhai më shkruan se pasi e morën Brianin në orën 19:00 ishte i përgjumur, i papërmendur dhe na thanë se për 10 minuta i del narkoza. Pasi shkuam në shtëpi gjendja po rëndohej, po i rritej temperatura, trupi po i zverdhej dhe e çuam menjëherë në urgjencën e Pediatrisë.

Ndërkohë nga ana tjetër mjekët në komunikim që unë kam pasur me ata më sqarojnë se djali ka qenë i zgjuar në momentin kur ka dalë nga klinika dhe patjetër që janë dhënë dhe ilaçe. Mjeku i ka firmosur një recetë që fëmija duhet t’i pinte për parandalimin e infeksionit. Sipas mjekut djalit i janë dhënë ilaçet nga familjarët në shtëpi dhe më pas kanë nisur komplikacionet e tjera. Gjithashtu ajo që vihet re është se familjarët pretendojnë se djali ka rënë në gjendje kome që në banesë ndërkohë mjeku thotë që fëmija ka patur vërtetë komplikacione në shtëpi, ndërkohë që familjarët pretendojnë se nuk kanë pasur mundësi të komunikojnë me klinikën, ndërkohë që mjeku pretendon se është kontaktuar nga familjarët. Në orën 12 të natës është takuar me xhaxhain e fëmijës dhe ka nisur komunikimet edhe me mjekët e pediatrisë. Familjarët pretendojnë se nga mjekët e pediatrisë iu është thënë se narkoza i ka dëmtuar rëndë mëlçinë dhe do duhej që fëmija të shkonte në trajtim të veçantë spitalor për t’i nxjerrë narkozën.

Nga ana tjetër mjeku me komunikoi se gjatë 24 orëve të para nga data 28 deri 29 kur u bë ndërhyrja fëmija ka pasur përmirësime, por më pas gjendja e tij shëndetësore është komplikuar. Arsyeja se përse është komplikuar situata nuk mundemi ta shpjegojmë deri më tani. Do të jetë mjekësia mjekoligjore që do të thotë fjalën e fundit që do të përcaktojë saktësisht shkakun e vdekjes së 3-vjeçarit dhe çfarë e shkaktoi infeksionin që i mori jetën, nëse ishte sasia e narkozës apo pati ndonjë lloj reaksioni tjetër që familjarët nuk e dinin që fëmija mund të kishte nga ndonjë element. Mjeku pretendon se fëmija ka lindur me problem në zemër dhe se para dy vitesh ka bërë operacion. Familjarët nuk ka kanë shpjeguar një gjë të tillë. Familja thotë se mjeku ka ndërhyrë ne 3 apo 4 dhemb, mjeku thotë se ka ndërhyrë në 14 dhëmbë. Ka kontradikta për mënyrën se si është trajtuar rasti./tvklan.al