
Ndryshimet sezonale, luhatjet në prodhim dhe importe, së bashku me efektet e luftës në Iran, kanë çuar në lëvizje të ndjeshme të çmimeve të produkteve bazë ushqimore dhe karburanteve në prill.
Sipas listës së çmimeve të INSTAT për artikujt kryesorë të shportës në prill, tregu u përball me një rritje të ndjeshme të çmimit të produkteve të freskëta sezonale dhe karburanteve, një rënie të çmimeve të ushqimeve të konservuara, ndërsa drithërat dhe produktet e qumështit kanë mbetur të qëndrueshme.
Limoni, domatja, vaji, kafeja, rritje rekord në prill
Limoni ishte produkti me rritjen më të madhe të çmimit në prill me rreth 41.6%, duke arritur në 212.4 lekë, nga 150 lekë në prill 2025.
Pas limonit, domatja ishte produkti me rritjen më të fortë në prill 2026 me 20.1%, duke u shitur tani për 210.4 lekë për kilogram nga 175.2 lekë në prill të vitit të kaluar, si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga ngricat e pranverës dhe përmbytjet.
Në sektorin e produkteve industriale, çmimet e naftës u rritën me 18.6%, ose 32.2 lekë për litër, në prill. Një litër naftë u shit mesatarisht për 205.7 lekë muajin e kaluar, një veprim që pritet të ketë një efekt të rëndësishëm në transport dhe produkte të tjera.
Kjo rritje u shoqërua me një rritje prej 17.3% të karburanteve të tjera. Çmimet e karburantit u rritën si pasojë e luftës në Iran, gjë që çoi në një rritje të vlerës së naftës në tregjet ndërkombëtare.
Po kështu, një rritje dyshifrore prej 12.0% ka ndikuar edhe tek kafeja e bluar, ku një paketim 100 gramësh arriti në 162.3 lekë në prill 2026, ndërsa çmimi i verës u rrit me 11%.
Produktet e konservuara, sheqeri dhe patatet me rënien më të madhe
Përveç rritjes ekstreme të disa artikujve, buxhetet familjare u lehtësuan nga uljet e çmimeve të disa produkteve industriale.
Sipas listës së çmimeve të INSTAT, rënien më të madhe në përqindje e shënuan mallrat e konservuara (për 100 gramë), të cilat ranë me 18.8%, duke u tregtuar mesatarisht me 168.4 lekë. Sheqeri, një produkt bazë, ka shënuar një rënie prej 19.6%, duke rënë në 89.8 lekë për kilogram në prill 2026, nga 111.7 lekë në prill të vitit të kaluar.
Për shkak të mbiprodhimit në Evropë dhe Gjermani, patatet në veçanti kanë pësuar një rënie të ndjeshme vjetore të çmimit prej 18.9% në prill, duke u stabilizuar në 83.5 lekë për kilogram, e ndjekur nga qepët e thata, të cilat kanë rënë me 13.5% dhe aktualisht tregtohen për 81.3 lekë për kilogram.
Drithëra dhe produkte qumështi të qëndrueshme
Përtej këtyre ulje-ngritjeve ekstreme, produktet e brumit kanë treguar stabilitet të lartë ose rënie të lehta, me bukën që ka rënë vetëm me 0.7%, miellin me 3.6% dhe makaronat me 2.3%.
Një situatë e ngjashme është e pranishme edhe në bulmetore, ku qumështi ka mbetur pothuajse i pandryshuar me një rritje prej 0.4%, ndërsa rritje disi më të moderuara por të ndjeshme janë vërejtur te gjiza me 7.1% dhe kosi natyral me 5.6%. Gjithashtu, produktet e mishit nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim të dukshëm. / Monitor
