LAJME / E Shtunë 30 Shtator 2023, 13:01

Kapen në rinas me valutë të padeklaruara një turk dhe një kinez. Sekuestrohen mbi 28 mijë euro

Një turk dhe një kinez janë vënë nën hetim pasi kanë tentuar të kalojnë kufirin në Rinas me para të padeklaruara.

Policia kufitare në rinas informon se ‘shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në vijim të kontrolleve për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, bazuar në analizën e riskut, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar, shtetasit D. C. dhe L. D.

Gjatë kontrolleve në hyrje të RSH-së, shtetasit turk D. C., 36 vjeç, i janë gjetur 17 020 euro, të cilat ai nuk i kishte deklaruar në kufi, sipas përcaktimeve ligjore.

Gjithashtu, në dalje të RSH-së, shtetasit L. D., 50 vjeç, i janë gjetur 11 820 euro dhe 1900 dollarë, të cilat ai nuk i kishte deklaruar në kufi, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.

Shumat e parave u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit D. C., 36 vjeç dhe L. D., 50 vjeç, për veprën penale "Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë".

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.