
Blinken mbërrin në Tel Aviv, përpjekje për të ulur tensionet
Bombardimet e ashpra izraelite nuk reshtën as në nisje të ditës së 6, pas sulmit të Hamasit. Këtë herë, raketat izraelite u përqendruan në zonat ku mendohet se janë tunelet ku Hamasi fsheh arsenalin e predhave që vazhdon të hedhë drejt jugut të Izraelit.
Në Rripin e Gazës tashmë mbretëron rrënimi. Më mijëra banesa janë shkatërruar nga sulmet ajrore hakmarrëse të ushtrisë izraelite. Situata ka detyruar 338 mijë banorë të zhvendosen në zona të tjera të territorit jugperëndimor palestinez ose të ikin në Egjipt. Numri i viktimave ka arritur në 1200 prej të Shtunës. Po aq janë të vrarët edhe në Izrael.
Rrethimi i Gazës vijon i ashpër dhe banorët janë në prag të një krize të egër humanitare, pasi nuk po furnizohen me ushqime, ujë të pijshëm, energji elektrike e karburant. Ministri izraelit i energjisë Izrael Kac tha se bllokada e ashpër do të vijojë deri kur të lirohen 150 pengjet, që militantët e Hamasit morën të Shtunën kur hynë në jug të Izraelit. Ndihmat e para, civilëve në Gaza po u vijnë nga Jordania.
Ushtria izraelite vijon të jetë në pritje të urdhrit për të nisur sulmin tokësor. Dhjetëra mijëra ushtarë dhe makineri të rënda ushtarake vijojnë të mbajë të blinduar kufirin me Rripin e Gazës. Në mbledhjen e parë të qeverisë së luftës ku bën pjesë edhe opozita, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu premtoi se do të zhdukë nga faqja e dheut militantët e Hamasit.
Trupa dhe makineri ushtarake po rrethojnë edhe kufirin verior me Libanin, nga ku disa raketa janë qëlluar nga Hezbollahu aleat i Hamasit në drejtim të Izraelit, çka paralajmëron zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme. Mëngjesin e kësaj të Enjteje, në Tel Aviv mbërriti sekretari amerikan i shtetit Entoni Blinken, për të shprehur mbështetjen e plotë të Uashingtonit për Izraelin, por edhe për të bërë një përpjekje për të nxitur palët të ulen në dialog.
