
Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka kërkuar që ish-presidentit kosovar Hashim Thaçi, ish kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe ish udheheqësit të UÇK-së Rexhep Selimi t’u pezullohen vizitat dhe të gjitha komunikimet përveç se me avokatët e tyre.
Prokuroria ka kërkuar që tre të akuzuarve t’u pezullohen të gjitha komunikimet, ato virtuale si dhe vizitat fizike, dhe që një gjë e tillë të jetë në fuqi deri në një vendim të trupit gjykues.
Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka thënë se të tre ish-udhëheqësit e UÇK-së kanë bërë shkelje duke zbuluar identitetet e dëshmitarëve të mbrojtur si dhe duke ju shpërndarë personave që i kanë vizituar në Qendrën e Paraburgimit përmbajtjen e dëshmive konfidenciale.
Kjo prokurori ka thënë që hetimet e saj kanë zbuluar që po ashtu ka pasur përpjekje të mëtutjeshme nga Thaçi, Veseli e Selimi për t’i udhëzuar dëshmitarët se si të dëshmojnë.
Prokuroria po ashtu ka urdhëruar personelin e paraburgimit ne Hage ku ish-udhëheqësit kosovarë mbahen prej gati dy vitesh që ata të monitorohen në mënyrë aktive.
Gjithsesi në vendimarrjen e prokurorisë në Hagë është lënë mundësia për lejimin e hyrjes në ambjentet e paraburgimit të një liste të ngushtë personash të cilët duhet të aprovohen paraprakisht nga trupi gjykues.
