LAJME / E Martë 20 Shkurt 2024, 15:03

Italianët preferojnë Shqipërinë edhe në Dhjetor

INSTAT: 11.5% e turistëve në strukturat akomoduese janë italianë, 5.3% gjermanë

Shqipëria mbeti një preferencë e italianëve edhe në Dhjetor. Të dhënat e strukturave akomoduese të publikuara nga Instituti i Statistikave për muajin dhjetor të 2023-it tregojnë se 11.5 % e vizitorëve jorezidentë ishin italianë ndërkohë që pas tyre vijnë shqiptarët e Kosovës me 8.2 %. Grupi i tretë i jorezidentëve përbëhet nga gjermanët me 5.3 %. Një tendencë në rritje kanë dhe britanikët dhe turqit.

Italianët janë grupi kryesor i turistëve që kanë vizituar hotelet gjatë muajit Dhjetorit duke mbajtur tendencën e shfaqur gjatë gjithë vitit të shkuar. Në total Shqipëria gjatë 12 muajve të vitit të shkuar, u vizituan nga më shumë se 950 mijë turistë italianë.

Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë muajit Dhjetor 2023, numri i vizitorëve që kanë frekuentuar strukturat akomoduese është rritur me 47,9 %, në krahasim me Dhjetor 2022. Rritjen më të madhe e kanë vizitorëve jo-rezidentë, me 66 %, ndërsa vizitorët rezidentë kanë rritje me 33,2 %.

Por jo vetëm numri i turistëve, por edhe kohëzgjatja e tyre në hotele është rritur. Sipas INSTAT, numri i netë qëndrimeve gjithsej është rritur me mbi 67%, në krahasim me muajin Dhjetor 2022. Numri i netë qëndrimeve nga rezident është rritur me mbi 54 % ndërkohë që numri i netë qëndrimeve nga të huajt është rritur me 81%. Turistët janë vendosur kryesisht në rajonin qendër, dhe ndryshe nga vera kur tendenca janë zonat bregdetare këtë herë janë ato jo bregdetare.