
Goditjet ndaj njerëzve dhe institucioneve në paradhomën e pushtetit po paralizojnë qeverinë, ndërsa ofensiva e drejtësisë duket se synon ta detyrojë Ramën të pranojë zgjatjen e mandateve të SPAK-ut dhe GJKKO-së…
Vendimi i SPAK-ut për të hetuar Thesarin e Shtetit për çështjen e pagave, pezullimi i drejtueses së SHISH-it, Vlora Hyseni, dhe caktimi ndaj saj i masës “arrest në shtëpi”, përbëjnë blitzkrieg-un që po shënon luftën fatale të Edi Ramës me drejtësinë.
Drejtësia refuzoi takimin me kryeministrin dhe i bëri të ditur se nuk kërkon negociata: takohemi në Gjykatën Kushtetuese. Me këtë qëndrim, ajo praktikisht i shpalli luftë.
Në këto orë ndodhemi në fazën më të nxehtë të një operacioni luftarak, në kuptimin e plotë të fjalës, i cili ka vetëm një objektiv: të paralizojë plotësisht Edi Ramën dhe qeverinë e tij.
Kreu i qeverisë arriti t’i shpëtonte sulmit masiv të Revolucionit të Flamingove. Tani përballet me një ofensivë tjetër.
Sulmin po e kryen drejtësia, por dhoma e komandimit është larg. Gjenerali që duket se e drejton këtë operacion është mjeshtër i sulmit të rrufeshëm dhe, sipas të gjitha gjasave, vjen pikërisht nga vendi që shpiku blitzkrieg-un.
Ky vend është njëkohësisht financuesi më i madh i reformës në drejtësi dhe sot përbën fuqinë kryesore drejtuese të Europës.
Kjo luftë agresive ka objektiva të qarta taktike dhe strategjike. Rrëzimi i Edi Ramës përbën një prej synimeve strategjike, me qëllim zhbërjen e mitit të një fuqie politike të palëvizshme.
Energjitë dhe burimet e përdorura në protestat që vijojnë prej qershorit pritet të sjellin zhvillime të forta, madje shpërthyese.
Hetimet intensive të SPAK-ut ndaj paradhomës së Edi Ramës pritet të bashkërendohen me protestuesit e flamingove në bulevard. Gjatë ditëve në vijim, ata pritet të shtohen dhe të rrethojnë Kryeministrinë.
Këtë skenar e kanë paralajmëruar disa herë gjatë këtyre ditëve edhe folësit e protestave në bulevard.
Po përjetojmë fazën kulmore të sulmit ndaj Edi Ramës. Përballë tij qëndrojnë prokurorët dhe gjyqtarët, por regjisori i vërtetë duket se është Perëndimi.
Sulmi rrufe duket se ka edhe një objektiv tjetër strategjik. Siç ndodh zakonisht në raste të tilla, negociatat zhvillohen me ‘pistoletë mbi tavolinë’.
Objektivi mund të jetë detyrimi i Edi Ramës për të miratuar zgjatjen e mandatit të SPAK-ut dhe GJKKO-së, i cili përfundon në vitin 2028. Bashkimi Europian nuk duket i gatshëm të pranojë që paratë e shpenzuara për reformën të përfundojnë në një aparat mbi të cilin do të ketë më pak kontroll.
Deri tani, Rama ka bërë kokëfortin dhe ka refuzuar zgjatjen e mandatit. Ka gjasa që, në këmbim të pranimit të kësaj kërkese, ai të synojë të fitojë diçka më të madhe.
Mediat pranë pushtetit, si me telekomandë, po sulmojnë drejtësinë me bateri të koordinuara. Ato synojnë ta trembin dhe kërkojnë ndërhyrjen e Parlamentit.
Edi Rama i ka votat, të paktën deri më sot, për të ndërmarrë ndonjë akt ligjor në Kuvend kundër ofensivës së drejtësisë. Ligjin për pagat, siç ka bërë të ditur “Pamfleti”, e përdori për t’i treguar Perëndimit forcën e tij.
Përgjigjja që po merr tregon se fuqia e tij është shumë relative.
Për këtë arsye, kreu i mazhorancës po kërkon që gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të sigurojë një kanal negociimi ose një sinjal nga administrata Trump për ndalimin e sulmit ndaj tij.
Hapin e parë duket se e ka tentuar me Emmanuel Macronin, i cili po zhvillon në New York një samit të zgjeruar me drejtues shtetesh, për të dëshmuar peshën ndërkombëtare të Francës.
Nga Macroni, Rama duket se kërkon një pezullim ose të paktën një zbutje të blitzkrieg-ut. Për ndaljen e tij nuk bëhet më fjalë. Bombardimet kanë nisur./Pamfleti
