LAJME / E Hënë 21 Gusht 2023, 23:11

Familjarët e biznesmenit dyshonin për vrasje, policia e Vlorës: U përfshi në aksident!

VLORË- Ky është 63-vjeçari i cili u gjet i vdekur në vendin e quajtur “Kapelja” në Vlorë. Viktima është identifikuar si Nadir Gjata, bashkëpronar i një agjencie biletarie pranë portit të Vlorës.

Familjarët hedhin dyshime se ai është vrarë dhe mbështesin pretendimet e tyre tek fakti që Nadir Gjata "ka goditje në kokë dhe nuk iu gjet çanta që kishte me vete"

Ndërkohë sipas ekspertizës mjeko ligjore, hematoma në kokë ka ardhur nga përplasja me makinë.

Policia e Vlorës ka dhënë informacion për vdekjen e Nadir Gjatës. Sipas forcave blu, 63-vjeçari ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit, për shkaqe shëndetësore, më pas automjeti i tij është përplasur me automjetin taksi dhe për pasojë ky shtetas ka humbur jetën.

Ata bëjnë të ditur se trupi i pajetë u transportua në morg, për kryerjen e ekspertizës mjekoligjore, për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës. Nga këqyrja paraprake e trupit, eksperti mjekoligjor nuk ka konstatuar shenja dhune.

Ky njoftim, hedh poshtë pretendimin e familjes së viktimës, të cilët janë të bindur se familjari i tyre është vrarë.

Policia vendore informon se ‘më datë 21.08.2023, rreth orës 04:00, në lagjen “28 Nëntori”, Vlorë, në afërsi të vendit të quajtur “Kapelja”, shtetasi N. GJ., 63 vjeç, banues në Vlorë, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit tip “Ford Fiesta”, për pasojë automjeti i tij ka përplasur një automjet të parkuar (taksi), i cili gjatë zhvendosjes ka përplasur 2 automjete të tjera të parkuara.

Paraprakisht, dyshohet se 63-vjeçari ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit, për shkaqe shëndetësore, më pas automjeti i tij është përplasur me automjetin taksi dhe për pasojë ky shtetas ka humbur jetën.

Trupi i pajetë u transportua në morg, për kryerjen e ekspertizës mjekoligjore, për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës. Nga këqyrja paraprake e trupit, eksperti mjekoligjor nuk ka konstatuar shenja dhune. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe po bashkëpunohet me Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së 63-vjeçarit’.