LAJME / E Enjte 2 Nëntor 2023, 12:12

Edhe para operacionit, Neymar nuk i ndal festat e harbuara. Merr kritika nga vetë presidenti i Brazilit

Neymar, ylli brazilian i futbollit, i është nënshtruar një operacioni për të trajtuar dëmtimin e tij në ligamentin e kryqëzuar të përparmë, në gjurin e majtë, të pësuar gjatë ndeshjes mes Brazilit dhe Uruguajit më 17 tetor. Operacioni u zhvillua të mërkurën në spitalin “MaterDei” në Belo Horizonte, Brazil. Përveç kësaj, ai kishte kohë edhe para operacionit për të organizuar një festë të madhe dhe ndezur polemikat në vendin e tij.

Pavarësisht rekomandimit të klubit të tij, Al-Hilal, për ta kryer ndërhyrjen në Paris, Neymar zgjodhi t’i nënshtrohej operacionit në vendlindje. Procedura u krye nga mjeku i ekipit kombëtar brazilian dhe Atlético Mineiro, Rodrigo Lasmar, i cili e kishte trajtuar tashmë futbollistin në të kaluarën, duke i riparuar “metatarsale” e këmbës së djathtë në vitin 2018. Po kështu kishte marrë pjesë në operacionin e kyçit të këmbës së djathtë të yllit brazilian, marsin e kaluar.

Megjithatë, para operacionit, Neymar e gjeti veten në mes të një polemike, që përfshiu edhe presidentin e Brazilit, Lula. Gjatë programit “Biseda me Presidentin”, Lula ka nderuar Lionel Messin për fitimin e “Topit të Artë” të tetë dhe në mënyrë indirekte ka shmangur Neymar, i cili organizoi një festë të tepruar fundjavën e kaluar në vilën e tij në Mangaratiba, pranë Rio de Zhaneiro.

Presidenti Lula bëri thirrje për profesionalizëm dhe përkushtim, duke sugjeruar se ata që kërkojnë të fitojnë “Topin e Artë” duhet të përmbahen nga sjelljet dhe festat jashtë kontrollit. Ky koment u duk se i drejtohej Neymar, festat ekstravagante dhe të harbuara të të cilit janë bërë shpesh objekt polemikash.

Incidenti ka ndezur debate në Brazil për sjelljen e Neymar, veçanërisht pas atësisë së tij të fundit me Bruna Biancardi, e cila shprehu zhgënjimin e saj në rrjetet sociale. Opinioni publik është i ndarë për këtë çështje, ndërsa futbollisti rikuperohet nga dëmtimi dhe përballet me kritika për stilin e jetesës.

Neymar tani do të nisë një periudhë rehabilitimi për t’u rikuperuar nga dëmtimi i gjurit të majtë dhe për t’u rikthyer në fushat e lojës në gjendjen më të mirë të mundshme. Ky proces pritet të zgjasë rreth 10 muaj.