
SPAK ka sekuestruar telefonin e kreut të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, si edhe të disa punonjësve të tjerë të institucionit, ndërsa paralelisht ka vendosur nën sekuestro disa prona në zonën e Livadhit, në Himarë.
Lajmi është bërë publik nga faqja “Disidentët”, e fokusuar në lajme investigative, e cila shkruan se sekuestrimi i telefonave dhe vendimi për disa prona në bregdetin e jugut kanë ndodhur ditën e premte.
“SPAK sekuestron telefonin e Lorena Goxhibellit. Edhe të disa punonjësve të tjerë të Kadastrës. Ndërkohë, SPAK ka vendosur urdhër sekuestro për disa toka në Livadh, Himarë”, thuhet në postim.
Ende nuk ka një njoftim zyrtar nga SPAK për detajet e operacionit, personat e përfshirë apo lidhjen e mundshme mes sekuestrimit të telefonave në Kadastër dhe pronave të vendosura nën sekuestro në Himarë.
Megjithatë, zhvillimi vjen në një moment kur Prokuroria e Posaçme është fokusuar ndjeshëm gjatë javëve të fundit te pasuritë dhe pronat e dyshuara si të lidhura me krimin e organizuar, veçanërisht në bregdetin e jugut.
Hetimet e SPAK kanë zbuluar se grupe kriminale apo persona të lidhur me to kanë investuar në zona turistike, duke përdorur skema të ndryshme për ndryshimin e pronësisë reale dhe kalimin e pasurive përmes dokumenteve apo procedurave në Kadastër.
Zona e Himarës dhe veçanërisht bregdeti i Livadhit janë konsideruar prej kohësh ndër zonat më të lakmuara për investime turistike, por njëkohësisht edhe ndër më problematiket për çështjet e pronësisë. /skyweb.al, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
