Prokuroria e Fierit ka sekuestruar pasuri me vlerë 2.5 milionë Euro. Bëhet fjalë për njësi shërbime, banesa, truall, makina, disa biznese dhe 6 llogari bankare.
Ato u përkasin në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, dy vëllezërve me iniciale J.H dhe G.H.
Prokuroria dyshon se këto pasuri janë vënë nga veprimtari kriminale nga ana e dy vëllezërve.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka regjistruar procedimin pasuror nr. 2, të vitit 2023, që lidhet me pasuritë në zotërim të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë të shtetasve J.H e G.H, të cilat dyshohet se e kanë prejardhjen nga veprimtaria kriminale e trafikimit të lëndëve narkotike jashtë vendit. Ky procedim pasuror, është regjistruar sipas ligjit 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar, mbi bazën e materialeve referuese të dërguara nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier dhe veprimet verifikuese/hetimore të kryera nga seksioni i policisë gjyqësore të Prokurorisë Fier. Dy vëllezërit janë nën hetim për veprën penale, “Trafikim i narkotikëve”, neni 283/a i Kodit Penal.
Nga veprimet e shumta dhe komplekse verifikuese/hetimore pasurore të kryera, shkëmbimit të informacionit me organet ligjzbatuese, kryerjes së ekspertimit kontabël, si dhe analizimit e kryqëzimin të të dhënave të administruara, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka kërkuar në Gjykatë sekuestrimin e pasurive të paluajtshme e të luajtshme, llogaritë bankare, shumave monetare dhe pasurive të shoqërive tregëtare, etj, me vlerë mbi 2.5 milion Euro, të dyshuara me prejardhje nga veprimtaria kriminale të shtetasve J.H. e G.H., si më poshtë:
Gjykata e Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe në vijim janë ngarkuar oficerët e policisë gjyqësore të shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier dhe Seksionit të Prokurorisë, si dhe Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara për ekzekutimin e vendimit gjyqësor.
Hetimet pasurore për këtë procedim pasuror vazhdojnë.
Prokuroria Fier është plotësisht e angazhuar dhe ka vendosur prioritet sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, si dhe luftën kundër pastrimit të produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminal.