LAJME / E Mërkurë 3 Qershor 2026, 17:05

“Duhet ta firmosësh”/ Mediat izraelite zbulojnë përplasjet, Netanyahu presion Ramës për emërimin e konsulles së nderit

Emisioni investigativ “Uvda” në Izrael publikon regjistrime dhe dëshmi që hedhin dritë mbi një konflikt diplomatik mes Tiranës dhe Tel Avivit. Në qendër të raportimit janë kryeministri shqiptar Edi Rama, biznesmenia Nicole Raidman dhe presionet e pretenduara nga rrethi i ngushtë i Benjamin Netanyahut.

Një nga emisionet më të njohura investigative në Izrael, “Uvda” i transmetuar nga Channel 12, ka publikuar një reportazh të gjerë që ka shkaktuar debat në opinionin publik izraelit, duke sjellë në vëmendje edhe Shqipërinë dhe kryeministrin Edi Rama.

Në fokus të investigimit është një proces diplomatik që lidhet me përpjekjet për emërimin e biznesmenes dhe personazhit publik Nicole Raidman si konsulle nderi e Shqipërisë në Izrael, një emërim që sipas raportimit u shndërrua në burim tensionesh diplomatike mes dy vendeve. Bëhet fjalë për vitin 2023, ku Rama ka qenë në një vizitë në Izraelin Qëndror, në banesën e mikut të tij Sani Sanileviçh.

Sipas materialit të publikuar nga “Uvda”, Nicole Raidman, e njohur për marrëdhëniet e afërta me familjen Netanyahu dhe veçanërisht me bashkëshorten e kryeministrit izraelit, Sara Netanyahu, kishte marrë fillimisht sinjale pozitive për emërimin e saj si konsulle nderi e Shqipërisë në Izrael. Megjithatë, procesi nuk u finalizua.

Sipas pretendimeve të paraqitura në investigim, autoritetet shqiptare vendosën të mos e miratonin emërimin, pas shqetësimeve të ngritura nga partnerë ndërkombëtarë. Raporti pretendon se Shtetet e Bashkuara kishin shprehur rezerva lidhur me lidhjet e ish-bashkëshortit të Raidmanit, biznesmenit rus Mikhail Chernoy.

Pikërisht në këtë pikë, sipas investigimit izraelit, filloi përplasja. “Uvda” pretendon se Benjamin Netanyahu ka kërkuar personalisht nga kryeministri Edi Rama që Shqipëria të rishikonte vendimin dhe të miratonte emërimin e Raidmanit.

Sipas emisionit, kërkesa nuk u paraqit si një sugjerim diplomatik i zakonshëm, por si një insistim i vazhdueshëm nga zyra e kryeministrit izraelit.

Raporti pretendon se Tirana vazhdoi të refuzonte emërimin, duke shkaktuar pakënaqësi në rrethin e afërt të Netanyahut dhe duke hapur një krizë të panevojshme diplomatike mes dy vendeve, të cilat tradicionalisht kanë ruajtur marrëdhënie shumë të mira.

Një pjesë e rëndësishme e investigimit bazohet në regjistrime audio dhe komunikime të publikuara nga Sani Sanilevich, ish-këshilltar i Benjamin Netanyahut.

Në një nga deklaratat që transmetohen në emision, Sanilevich pretendon se gjatë periudhës kur punonte me Netanyahun, ekzistonte një kulturë politike e ndërtuar mbi presionin dhe neutralizimin e kundërshtarëve politikë.

Megjithatë, vetë reportazhi nuk paraqet prova konkrete që mbështesin pretendimet për raste specifike apo persona të caktuar.

Një tjetër element i publikuar nga “Uvda” lidhet me mesazhe që, sipas investigimit, janë dërguar nga Topaz Luk, zëdhënës i afërt i Netanyahut, ndaj ambasadorit të Shqipërisë në Izrael.

Sipas emisionit, këto komunikime përmbanin tone të ashpra dhe erdhën pasi pala shqiptare refuzoi të ndryshonte qëndrimin për emërimin e Raidmanit.

Përtej dimensionit diplomatik, reportazhi përdor rastin e Shqipërisë për të ngritur pyetje më të gjera mbi mënyrën se si funksionon rrethi i ngushtë i pushtetit rreth Benjamin Netanyahut.

Autorët e investigimit sugjerojnë se përpjekjet për emërimin e Nicole Raidman janë një shembull i ndikimit që marrëdhëniet personale mund të kenë në vendimmarrjen politike dhe diplomatike.

Në këtë kuadër, emri i Edi Ramës shfaqet si pjesë e një historie më të madhe që po diskutohet aktualisht në Izrael, lidhur me raportet mes pushtetit politik, interesave personale dhe administrimit të marrëdhënieve ndërkombëtare. /Pamfleti, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE