
Autoritetet kanë mundur të venë nën kontroll zjarrin që përfshiu mbrëmjen e së shtunës një fabrikë bojërash në autostradën Durrës-Tiranë, në Maminas. Lajmi bëhet i ditur nga policia e Durrësit në një njoftim të dytë për mediat.
“Shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe vijuan intensivisht punën për shuarjen e flakëve. Shërbime të shumta policie të DVP Durrës dhe grupe të FNSH Tiranë evakuuan në një objekt, qytetarët që ndodheshin në lokalin afër fabrikës. Në momentin që ra zjarri, brenda në fabrikë nuk kishte patur punonjës, por vetëm rojet të cilët kanë qenë në ambientet e jashtme të fabrikës. Nga përhapja e flakëve nuk pati asnjë person të dëmtuar. Për çështje sigurie Policia bllokoi përkohësisht autostrada Durrës-Tiranë dhe lëvizja u devijua në rrugët dytësore. Aktualisht zjarri është drejt fikjes”, thotë policia.
Shkaqet e rënies së këtij zjarri nuk dihen ende. Policia thotë se për zbardhjen e tyre është ngritur një grup hetimor.
Për shuarjen e flakëve që ishin të përmasave të mëdha, u angazhuan 15 mjete zjarrëfikëse, 65 forca zjarrëfikëse, 200 forca policie dhe vullnetarë./tvklan.al
