
Harta territoriale e bashkive pritet të ndryshojë në mënyrë të njëanshme, me propozimin dhe votat e mazhorancës në Kuvend. Socialistët duket se po e çojnë deri në fund kërkesën e shefit të tyre politik për të reduktuar numrin e njësive vendore, jo në mënyrë drastike, por pak më të moderuar. Sipas burimeve mediatike, në zgjedhjet lokale të vitit 2027 nuk do të shkojnë më shumë se 50 bashki.
Sipas raportit të analizës së ekspertëve të socialistëve, janë 14 njësi vendore më të rrezikuara sipas kriterit ekonomik, financiar, funksional dhe demografik. Qarqet më të prekura janë Gjirokastra, Berati, Elbasani, Shkodra, Fieri, por nuk përjashtohet as Tirana. Pavarësisht llogaritjeve territoriale dhe elektorale të të majtëve, 3 bashki minoritare, edhe pse me tregues shumë të dobët, nuk mund të preken.
Në dokumentin e ekspertëve identifikohen rastet që kërkojnë trajtim të veçantë për shkak të identitetit historik, kulturor, pakicave kombëtare ose kërkesave të ngritura gjatë dëgjesave publike. Për të kyçur disa bashki, socialistët kanë hasur në disa vështirësi, distanca e largët e disa qyteteve me qendrat apo ato fqinje.
Raporti veçon në mënyrë të posaçme Tropojën, Fushë Arrëzin dhe Himarën, duke shkruar që për këto zona sfida kryesore nuk është domosdoshmërisht ndryshimi i kufijve administrative. Mazhoranca do të presë deri më 23 korrik opozitën, në rast të kundërt deri në fillim të tetorit ata duhet të sigurohen që të mos ketë asnjë rrjedhje votash për të garantuar 84 kartonat jeshil të nevojshëm.
10 Bashki që shkrihen përballë 10 arsyeve pse bashkitë duhet të shtohen
Ndërkohë edhe bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Luçiano Boçi, ka reaguar ndaj debatit për riorganizimin e ri të bashkive, duke kundërshtuar idenë e shkrirjes së njësive vendore. Sipas tij, një proces i tillë rrezikon të përsërisë problematikat e reformës së vitit 2015, e cila sipas tij nuk solli decentralizimin dhe zhvillimin e premtuar. Boçi argumenton se largimi i vendimmarrjes nga qytetari ka dobësuar shërbimet dhe përfaqësimin lokal, veçanërisht në zonat periferike dhe malore. Ai ka renditur 10 arsye pse, në vend të reduktimit, Shqipërisë i nevojitet forcimi dhe shtimi i bashkive. Sipas tij, një bashki më e vogël, por funksionale dhe e mbështetur financiarisht, mund të jetë më pranë qytetarëve sesa një administrim i madh territorial që qeveris nga larg. “PS në mënyrë të njëanëmshme dhe brutale po nxiton të mbyllë me shpejtësi një projekt të paralajmëruar dhe të parapërgatitur për shkrirjen e deri 10 Bashkive nën petkun decentralizimit, autonomisë financiare, funksionalitetit administrativ, demografisë.
Po përdoren të njëjtat justifikime që çuan në 2015 në 61 Bashki. Bashkitë u pakësuan me idenë e decentralizimit financiar e kompetencave, efikasitetit e zhvillimit, e ruajtjes së popullsisë, por ajo që ndodhi ishte katastrofike. Në shumë raste u largua shteti nga qytetari, shërbimet munguan ose u përkeqësuan dhe vendin e decentralizimit e zuri akoma më shumë centralizimi, ndërsa shpopullimi mori përmasa të frikshme. Vazhdimi i së njëjtës logjikë nuk mund të japë rezultat tjetër. Po ndiqet e njëjta rrugë, dhe rezultati do jetë i njëjtë. Bashkitë e mëdha do sjellin pasoja negative për atë që është thelbi i pushtetit lokal, funksionalitetin e territorit, shërbimin e përfaqësimin e qytetarit. Por një reformë duhet të kishte në fokus llojin e bashkisë që i duhet qytetarit dhe jo numrin elektoral e politik të tyre. Dhe ky lloj që ka brenda qëllimin e shërbimit çon domosdoshmërisht tek rritja e numrit të Bashkive. Nisur nga realiteti i sotëm ka shumë arsye për të dalë në këtë konkluzion, por për koncizitet po parashtroj 10 prej tyre.
Qytetari është shumë larg bashkisë. Në disa zona duhen mbi 1-2 orë udhëtim për një shërbim administrativ.
Përfaqësimi demokratik është dobësuar. Më pak bashki do të thotë më pak kryetarë, më pak këshilla bashkiakë dhe më pak zë për komunitetet.
Shërbimet janë centralizuar. Investimet përqendrohen në qytetin qendër, ndërsa njësitë administrative mbeten periferike.
Territoret malore kanë humbur prioritetin. Administrimi nga larg nuk kupton gjithmonë nevojat lokale.
Identiteti historik dhe kulturor është zbehur. Qytete me histori administrative janë reduktuar në njësi periferike.
Konkurrenca mes bashkive është zvogëluar. Më shumë bashki krijojnë më shumë modele zhvillimi dhe garë për performancë.
Fondet mund të shpërndahen më drejt. Bashkitë më të vogla mund të financohen me formula objektive dhe jo vetëm sipas peshës politike.
Menaxhimi lokal bëhet më fleksibël. Vendimmarrja është më pranë problemeve reale.
BE promovon subsidiaritetin. Vendimet duhet të merren në nivelin më të afërt me qytetarin, jo domosdoshmërisht në njësinë më të madhe.
Reforma 2015 nuk e ndali shpopullimin. Premtimi se bashkitë më të mëdha do të sillnin zhvillim nuk u realizua. Në shumë zona emigracioni vazhdoi, ndërsa diferencat territoriale u thelluan. Pra thjesht e saktë, nëse një bashki e vogël është ekonomikisht e qëndrueshme me mbështetje të plotë financiare nga shteti sipas një formule logjike e të ardhurat vendore, garanton shërbime themelore cilësore dhe përfaqësim real, atëherë ekzistenca e saj nuk është luks administrativ, por një instrument i demokracisë vendore. Ndërsa një bashki e madhe që qeveris nga larg mund të jetë më e lirë në letër, por shumë më e kushtueshme për jetën e përditshme të banorëve”, shkruan Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Luçiano Boçi.
Reagon Mazniku
Nga ana tjetër, në Zgjedhjet lokale të 2027 qytetarët shqiptarë do të votojnë sipas hartës së re territoriale. Bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku, tha në një intervistë për mediat se harta synohet të miratohet deri në tetorin e këtij viti. Z. Mazniku deklaroi se puna për reformën e re territoriale po vijon mbi bazën e një analize të detajuar ekonomike, financiare, demografike dhe sociale, ndërsa një nga opsionet që po shqyrtohet, që ai e bëri publike, është bashkimi i Bashkisë së Prrenjasit me atë të Librazhdit. Kur u pyet nëse Rinasi do i bashkohej Bashkisë së Tiranës, Mazniku nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por e la të hapur mundësinë.
“Sot ne po vijojmë punën për këtë draft. Ne kemi dëgjuar të enjten ekspertët, të cilët kanë prezantuar një raport të detajuar, i cili është tashmë publik. Ai raport ka shumë të dhëna të rëndësishme ekonomike, financiare dhe për mënyrën sesi funksionojnë bashkitë”, u shpreh Mazniku. Sipas tij, raporti përfshin gjithashtu analizën demografike të çdo bashkie, ndërsa në hartimin e reformës do të merren në konsideratë edhe distancat mes njësive vendore dhe afërsia social-kulturore e komuniteteve. “Elementi tjetër ka të bëjë me distancat nga një bashki në një tjetër, për të siguruar që, nëse do të gjykojmë për bashkime të mundshme mes bashkive, ato të jenë brenda një rrezeje të mundshme bashkimi. Por edhe elementi social-kulturor, sepse njerëzit duhet të shkojnë mirë me njëri-tjetrin”, tha ai. Mazniku argumentoi se një pjesë e bashkive nuk arrijnë të përmbushin funksionet që u ngarkon ligji, për shkak të numrit të ulët të popullsisë, mungesës së burimeve financiare dhe kapaciteteve njerëzore.
“Ne e kemi shprehur në mënyrë të qartë se ka një numër bashkish që nuk ia dalin dot t’u ofrojnë në mënyrë efikase shërbime qytetarëve të tyre. Besojmë se disa bashki që janë nën limitet e funksionimit duhet të bashkohen me bashki fqinje që e kanë këtë kapacitet, duke krijuar ekonomi shkalle”, deklaroi ai. Në këtë kuadër, Mazniku përmendi edhe një nga rastet konkrete që po analizohet. “Bashkia e Prrenjasit është një mundësi që të bashkohet me Librazhdin. Është një nga opsionet që po analizojmë. Ka edhe treguesin e distancës që është pjesë e diskutimeve. Kjo është një nga rastet tipike që i kemi të dyja dilemat”, u shpreh ai. Sipas bashkëkryetarit të Komisionit, rreth 40% e bashkive në vend nuk ofrojnë as gjysmën e shërbimeve që duhet të ofrojnë për qytetarët. “40% e bashkive nuk ofrojnë as gjysmën e shërbimeve”, theksoi Mazniku. Por jo gjithçka do të përfundojë brenda këtij viti. Mazniku sqaroi se do të kërkojë edhe 1 vit kohë për të përfunduar të gjithë legjislacionin përmes së cilit do të funksionojnë bashkitë e reja.
“Ne kemi propozuar, duke qenë se jemi të lidhur me elementin e datës së zgjedhjeve në vitin 2027, ku në nëntor Presidenti duhet të shpallë zgjedhjet, që do të thotë që në tetor është afati i mundshëm për të miratuar në Parlament këtë reformë, që të kemi kohë që Presidenti të shpallë zgjedhjet me hartën e re. Ndërkohë që për 3 elementë të tjerë, elementin e funksioneve dhe kompetencave të bashkive, elementin e financave të bashkive dhe elementin e rajonalizimit, ne besojmë dhe ky është propozimi që do i bëjmë seancës, që duhet të vijojë puna edhe për një vit tjetër, deri në korrikun e vitit 2027, pasi nuk kemi limite fizike kohore për ta mbaruar atë punë dhe mund të marrim gjithë kohën e nevojshme për ta mbaruar atë punë. Do të marrim kohën që të bëjmë të mundur që njësitë administrative të bashkive, të kenë një rol më të fortë për t’u ofruar shërbimin qytetarëve”, tha Mazniku. Duke folur për Tiranën, ai u shpreh se kryeqyteti ka nevojë për një trajtim të veçantë për shkak të peshës që ka në popullsi dhe ekonomi.
“Tirana ka 25% të popullsisë së Shqipërisë dhe mbi 50% të xhiros që krijohet nga ekonomia shqiptare. Nuk është harta problemi i Tiranës. Tirana ka nevojë ose për një ligj të posaçëm për mënyrën sesi funksionon, ose për një kapitull të posaçëm në ligjin për pushtetin vendor”, deklaroi Mazniku. Në fund, ai akuzoi opozitën se ka vonuar procesin e reformës duke mos marrë pjesë në punimet e Komisionit për katër muaj, por shtoi se propozimet e ekspertëve të saj do të shqyrtohen. Pavarësisht se nuk dha detaje, socialisti tha se me apo pa PD, numri i bashkive do të ulet. “Për 4 muaj opozita nuk erdhi në Komision, duke çuar dëm 4 nga 9 muaj të punës që ne kishim. Ne kemi një afat të fortë, apo një mur, siç është data e zgjedhjeve. Sepse nëse e shtyjmë, nuk humbasim disa muaj, por periudhën 2027-2031. Sepse nuk ua ndërpresim dot mandatin në mes kryetarëve të bashkive. Ne do të lexojmë me shumë vëmendje të gjitha sugjerimet që ekspertët e opozitës kanë dërguar në Komision. Do të marrim parasysh të gjithë elementët e atij raporti që janë për t’u marrë parasysh”, përfundoi Mazniku.
Afati i Komisionit ka skaduar me 15 korrik, ndërsa në mbledhje ne fundit PD vendosi të braktisë Komisionin dhe PS vijoi e vetme punën për këtë reformë, e cila vjen pas asaj të vitit 2014, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
