
Kanë dalë të tjera detaje për azilkërkuesin shqiptar, Leonard Farruku, 27 vjeç, i cili i dha fund jetës në anijen hotel, Bibby Stockholm.
Në një artikull të shkruar nga media prestigjoze, The Telegraph, e motra e Leonardit, Jola Dushku, 33 vjeç, ishte shprehur se i vëllai po trajtohej si një kafshë në anijen hotel.
“Kur fola me të herën e fundit, ai më tha se kushtet në atë varkë nuk ishin të këqija, por ata trajtoheshin nga rojet si kafshë. Sipas të afërmve tanë që janë në kontakt me policinë, Leonardi atë natë në orën 23 të mbrëmjes ka pasur disa probleme dhe është qetësuar nga roja. Në orën 3 të mëngjesit ai u gjet i vdekur. Nuk kemi më shumë detaje se si ai vdiq.” – tha ajo.

33-vjeçarja, e cila jeton në Itali, ka deklaruar se do të gjente qetësi vetëm atëherë kur të mësonte të vërtetën se çfarë kishte ndodhur me të vëllain. Sipas saj, Leonardi emigroi drejt Anglisë për një jetë më të mirë dhe për të fituar një leje qëndrimi
“Ai erdhi në MB me ëndrrën për të gjetur punë më të mirë dhe, më e rëndësishmja, për të marrë leje të pacaktuar për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar. Ai tha: “Po”, kur i thanë atij se akomodimi i tij i ri do të ishte në atë varkë ku ai kaloi ditët e fundit të jetës së tij.” – u shpreh Dushku.
Një zëdhënës i Home Office tha për këtë ngjarje se ishte një incident tragjik dhe se është nën hetim nga policia.
Kjo anije hotel u mor me qira nga qeveria angleze për të zbutur koston ditore prej 8 milion sterlinash të azilantëve të mbërritur gjatë dy viteve të fundit në Angli me gomone mes tyre 12.800 shqiptarë. /tvklan.al
