
Këto urdhër kontrolle janë zbatuar në koordinim me EULEX dhe KFOR
Policia e Kosovës ka kryer kontrolle duke nisur pas orës 06:00 të ditës së sotme në pesë lokacionet në tri komunat veriore Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok lidhur me pjesëmarrjen në sulmin terrorist në Banjskë. Këto urdhër kontrolle janë zbatuar në koordinim me EULEX dhe KFOR.
Policia ka kryer bastisje edhe te restoranti Gray, i cili besohet se është në pronësi të Ema Radoiçiqit, bashkëshortes së nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiç. Në garazhin e këtij lokali, janë konfiskuar disa vetura, dy prej të cilave me targa të Beogradit dhe një pa targa. Sipas informacioneve në teren, pjesëtarët policët në Mitrovicë të Veriut kanë qenë edhe tek spitali i qytetit.
Aksioni është bërë me kërkesë të Prokurorisë Speciale e me urdhër të gjykatës kompetente në pesë lokacione të ndryshme në komunat e pjesës veriore të Kosovës. Kryesisht në pronat të cilat tanimë janë të evidentuara si prona të të dyshuarit Milan Radojiçiç. Nuk njoftohet se ka persona të arrestuar në këtë zonë.
Janë evidentuar pronat të cilat dyshohen se janë në emër të Radojiçiçit dhe personave të tretë ku ai i ka transferuar ato prona.
Ministri Xhelal Sveçla ka publikuar pamje nga droni ku shihet Radojiçiç bashkë me terroristët tjerë te Manastiri i Banjskës. Sveçla ka thënë se Radojiçiç është udhëheqësi i grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau policin Afrim Bunjaku.
Policia e Kosovës njoftoi qytetarët e këtyre komunave me shumice serbe se nuk kanë nevojë për ndonjë shqetësim. Si Lista Serbe, ashtu edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e kanë kritikuar, siç kanë thënë ata, mosreagimin e EULEX-it në aksionin policor.
