LAJME / E Martë 10 Tetor 2023, 13:01

Arabia Saudite në mbështetje të palestinezëve

Sundimtari de fakto i Arabisë Saudite – Princi i Kurorës Mohammed Bin Salman – ka zhvilluar këtë të martë një bisedë telefonike me presidentin palestinez Mahmud Abbas.

Bin Salman tha se vendi i tij do të vazhdojë “të qëndrojë në krah të popullit palestinez për të arritur të drejtat e tij legjitime për një jetë të denjë, për të arritur shpresat dhe aspiratat e tyre dhe për të arritur paqen e drejtë dhe të qëndrueshme”, njoftoi agjencia zyrtare e shtypit në Arabinë Saudite

Princi i Kurorës i tha gjithashtu Abbasit se po punonte me të gjitha palët ndërkombëtare dhe rajonale për të parandaluar “një zgjerim” të konfliktit.

Vlen të kujtohet se Abbas dhe Hamasi, i cili kontrollon Rripin e Gazës, janë rivalë politikë. Abbas kryeson lëvizjen Fatah, e cila kontrollon Bregun Perëndimor. Ai është gjithashtu kreu i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO).

BBC shkruan se mbështetja e Arabisë Saudite për palestinezët është e rëndësishme, pasi vjen në sfondin e negociatave trepalëshe që po vazhdojnë midis Izraelit, Arabisë Saudite dhe SHBA-së për normalizimin e marrëdhënieve midis Riadit dhe Tel Avivit.

Analistët thonë se konflikti në rritje i ka dhënë një goditje të rëndë bisedimeve të normalizimit.

Në një deklaratë të lëshuar të shtunën pas sulmit të Hamasit, Arabia Saudite e konsideroi Izraelin përgjegjës për përshkallëzimin.