LAJME / E Enjte 10 Shtator 2026, 04:04

A preken emigrantët shqiptarë? Partia Radikale zotohet të deportojë mbi 1 milion refugjatë.. .

Partia e djathtë radikale Alternativa për Gjermaninë (AfD) ka intensifikuar kërkesat për deportimin e më shumë se 1 milion personave, aplikimet e të cilëve për azil janë refuzuar.

Deklaratat vijnë vetëm pak ditë pas rezultatit të fortë të partisë në zgjedhjet rajonale. Gjatë një debati të tensionuar në parlamentin gjerman, bashkëkryetarja e AfD-së, Alice Weidel, deklaroi se rezultati zgjedhor përfaqëson, sipas saj, një kërkesë të qytetarëve për një ndryshim të thellë të politikës së migracionit.

Weidel kritikoi qeverinë për menaxhimin e emigracionit dhe pretendoi se në Gjermani ndodhen ende më shumë se një milion persona, kërkesat e të cilëve për azil janë refuzuar. Sipas saj, këta persona duhet të largohen nga vendi.

Ajo e lidhi gjithashtu emigracionin me rritjen e pasigurisë dhe kriminalitetit, duke përmendur raste të dhunës, veprave penale seksuale, sulmeve me thikë dhe incidenteve në hapësirat publike. Weidel akuzoi gjithashtu disa komunitete të huaja për qëndrime armiqësore ndaj gjermanëve dhe të krishterëve.

Një tjetër pretendim i saj lidhej me sistemin gjerman të mbështetjes sociale. Weidel tha se pjesa më e madhe e përfituesve të ndihmës bazë për kërkuesit e punës janë persona me shtetësi të huaj ose me prejardhje migratore.

Kancelari gjerman Friedrich Merz e kundërshtoi ashpër këtë qëndrim. Ai argumentoi se emigrantët që punojnë dhe kontribuojnë në ekonominë gjermane kanë një rol të rëndësishëm në funksionimin e vendit.

Merz theksoi se një numër i madh emigrantësh janë të punësuar në profesione të kualifikuara dhe paralajmëroi se largimi i tyre do të krijonte pasoja të rënda për ekonominë dhe shërbimet publike, përfshirë spitalet, qendrat e kujdesit dhe sektorin e shërbimeve.