LAJM I FUNDIT/ Edi Rama “ul” studentin në karrigen e dialogut para Kryeministrisë, publikon bisedën rrugës për në Budva: Ja çfarë i thotë (Video)

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur një mënyrë të pazakontë për t’iu përgjigjur pyetjeve që
kanë shoqëruar protestat studentore të ditëve të fundit, duke publikuar një video nga automjeti i tij,
teksa udhëton drejt Malit të Zi. Në videon e shpërndarë në rrjetet sociale,
kreu i qeverisë shfaqet në një bashkëbisedim të realizuar përmes teknologjisë me figurën
e një studenti protestues, të cilin e ka vendosur virtualisht në njërën prej karrigeve me mbishkrimin “Dialog”, të vendosura më herët përpara Kryeministrisë.
Përballë pyetjeve për dhunën gjatë demonstratave, përdorimin e gazit lotsjellës dhe plumbave të gomës nga policia, si dhe premtimet e bëra ndaj studentëve që prej vitit 2018, Rama mbron qëndrimin e tij dhe përsërit gatishmërinë për dialog.
Kryeministri argumenton se ndërhyrja e policisë erdhi si pasojë e sulmeve ndaj efektivëve, ndërsa kundërshton akuzat për përdorim të pajustifikuar të forcës. Sipas tij, numri i policëve të plagosur është më shumë se dyfishi i protestuesve të lënduar, pretendim që ai e përdor për të mbështetur qëndrimin e tij mbi përplasjet.
Videoja është publikuar ndërsa Rama udhëton drejt Budvës, ku më 22 tetor është planifikuar të zhvillohet Samiti i Procesit të Berlinit.
“Në makinë me studentin protestues, duke shkuar në Budva për Samitin e Procesit të Berlinit”, shkruan Rama krahas videos.
Pjesë nga intervista:
Studenti: Zoti kryeministër, me kë doni të dialogoni?
Rama: Dua dialog me këdo që beson se unë jam i keq, por ama dhuna është një armik i lirisë së të gjithëve.
Studenti: Me të rinjtë që policia i qëlloi me plumba gome dhe i mbyti me gaz lotsjellës? Apo me studentët që i mbani me premtime që nga 2018-ta?
Rama: Policia u qëllua me gur dhe me zjarr. E me lloj lloj saçmesh e vidash, me llastiqe nga ato primitivet. E reagoi me gaz lotsjellës dhe ujë, e në ndonjë rast me shkop dhe plumba gome, mjete të çdo policie në çdo vend demokratik. Dhe kur policët e plagosur janë më shumë se dyfishi i protestuesve të plagosur, ndryshe nga të gjitha vendet ku ka ndodhur dhe ndodh këto ditë diçka e ngjashme, çdo pretendim për dhunë është djallëzor. Jam gati ta bëjmë bilancin e zotimeve të 2018-tës, ama ballë për ballë dhe me fakte, jo me retorikë.
Studenti: Mos ndoshta tani u kujtuat të flisnit me Flamingot?
Rama: Unë u kujtova tani të flas për Flamingot? Jo! Kam bërë dhe publikuar një reflektim të tillë.



