KURIOZITETE / E Shtunë 17 Korrik 2021, 23:11

1 milionë turistë, gjysma nga Kosova/ Rritet numri edhe i turistëve nga Polonia që vizitojnë Shqipërinë

Turizmi shqipfolës duket se do të mbajë peshën kryesore edhe këtë sezon turistik, pasi vizitorët nga Kosova gjithnjë e më shumë po zgjedhin Shqipërinë për të bërë pushime.

“Vij nga Podujeva. Shkoj dhe në vendet e tjera po nuk e quaj nëse nuk vij në Shqipëri për pushime. Më pëlqejnë njerëzit, gjuha ime. Qëndroj 3 javë ose rreth 1 muaj”, tha një pushuese nga Kosova.

Këtë e konfirmojnë edhe vetë operatorët turistikë, që tregojnë se prenotimet e turistëve nga Kosova janë rritur ndjeshëm në raport me një vit më parë.

Sipas të dhënave të Instat, vetëm në 5-mujorin e parë të këtij viti kanë hyrë në vend 525.3 mijë shtetas kosovarë, duke tejkaluar edhe vitin 2019.

 “Duhet të jemi falënderues që turistët kosovarë dhe nga Maqedonia shpëtuan vjet turizmin. Ka kërkesa dhe prenotime edhe sivjet edhe pse jo si në 2019-ën. Vështirë për të kapur nivelet e 2019-ës në tërësinë e prenotimeve”, tha Fatos Cerencishti, operator turistik dhe nënkryetar i Unionit Turistik Shqiptar.

Por, premtuese janë edhe vizitat nga Polonia pasi polakët duket se janë rikthyer këtë vit, teksa operatorët konstatojë rritje edhe të turistëve nga rajoni e jo vetëm.

“Korriku dhe gushti janë prenotuar thuajse të gjitha. Janë rikthyer kontratat me polakët, çekët, vendet e rajonit serbë dhe sivjet kemi dhe më shumë. Kanë ardhur në mënyrë individuale jo të organizuar siç e prisnim ne”,  tha Fatos Cerenishti, operator turistik.

“Jam nga Sllovenia. Është hera ime e parë që vij në Durrës. Shikoj një miks kulturash italiane, ballkanike dhe pak nga kultura turke. Më pas do të shkoj në Sarandë dhe në disa qytete të tjera për të ekspoluar më shumë. Po planifikoj të qëndroj për rreth 1 muaj“, tha një pushuese nga Sllovenia.

E në fakt, 5-mujori i parë i vitit ka shfaqur sinjale pozitive për turizmin pasi kanë hyrë në vend mbi 1 milionë shtetas të huaj, ndjeshëm më shumë se një vit më parë, por ende larg niveleve të parakrizës.