"Jam munduar ta..."/ Flet ish-bashkëshorti i Arlinda Zekajt, zbulohet çfarë deklaroi para gjykatës

Jeton Sylaj, ish-bashkëshorti i Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Pejë,
ka deklaruar para gjykatës se ndien keqardhje për ngjarjen dhe se ishte përpjekur ta parandalonte.
“Ndjej keqardhje për këtë çka ka ndodhur, jam munduar ta parandaloj”,
ka thënë Sylaj gjatë seancës dëgjimore në Gjykatën Themelore në Pejë,
ku ndaj tij u caktua masa e paraburgimit prej një muaji për veprën e dyshuar penale “Mospërfillja e gjykatës”.
Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Sylaj e ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë, duke argumentuar se ka një fëmijë 12-vjeçar që ka nevojë për kujdesin e tij.
Ai ka deklaruar gjithashtu se nuk ka mundësi të largohet nga Kosova, pasi pasaporta amerikane i është marrë nga organet e hetuesisë, ndërsa atë të Kosovës, sipas tij, e kishte marrë e ndjera.
Gjatë seancës janë bërë publike edhe detaje nga dosja e Prokurorisë. Prokurori Argzon Hasi ka bërë të ditur se ndaj Jeton Sylajt rezultojnë gjashtë raste penale të hapura, katër prej të cilave vetëm gjatë vitit 2026.
Sipas Prokurorisë, ekziston rreziku që Sylaj të arratiset për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, ndaj është kërkuar mbajtja e tij në paraburgim.
Ndërkohë, avokati Gani Kelmendi ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë, duke deklaruar se klienti i tij nuk ka ushtruar dhunë fizike ndaj Arlinda Zekajt. Ai ka kërkuar që ndaj Sylajt të caktohet një masë më e lehtë sigurie.
Një nga detajet e përfshira në vendimin gjyqësor është edhe deklarata që Arlinda Zekaj kishte dhënë në Polici pak orë përpara se të vritej.
“A duhet me më vra mua Jetoni që ju policia atëherë ta arrestoni shizofrenin?”, u ishte drejtuar ajo efektivëve, sipas dokumenteve të cituara nga “Betimi për Drejtësi”.
Prokuroria pretendon se Sylaj e kishte kërcënuar ish-bashkëshorten edhe në ditën e vrasjes, pavarësisht një urdhri gjyqësor që i ndalonte ushtrimin e dhunës dhe kërcënimeve ndaj saj.
Arlinda Zekaj u vra mbrëmjen e 25 tetorit në Vitomiricë të Pejës, ndërsa si autor i dyshuar i krimit është identifikuar ish-kunati i saj, Albert Sylaj.
Pas shqyrtimit të kërkesës dhe pretendimeve të palëve, Gjykata Themelore në Pejë vendosi të caktojë një muaj paraburgim për Jeton Sylajn, deri më 24 nëntor 2026. Kundër vendimit mund të paraqitet ankesë brenda 48 orëve.
Sylaj mbetet i dyshuar për mospërfillje të vendimit gjyqësor dhe masa e paraburgimit nuk përbën vendim përfundimtar për fajësinë e tij.



