Ervis Martinaj dhe ndjekja për ekzekutimin e tij: Nga gjurmimi me dron e anije, deri tek biletat e vdekjes

Dikur ishin miq. Kishin ndarë interesa, biznese dhe një pjesë të rëndësishme
të aktivitetit të tyre në botën e krimit.
Por një vrasje do të ndryshonte gjithçka.
Ekzekutimi i Santiago Malkos, në gusht të vitit 2019, do të shënonte pikën e kthesës në një konflikt që,
sipas hetimeve të SPAK, do të shndërrohej në një luftë për eliminimin fizik të njëri-tjetrit.
Në njërën anë, Ervis Martinaj, një prej personazheve më të njohur të botës së krimit në Shqipëri, i cili prej gushtit 2022 rezulton i zhdukur.
Në anën tjetër, Leonard Duka, i dënuar me 30 vite burg për vrasjen e ish-policit Santiago Malko.
Mes tyre, emra të tjerë, grupe të organizuara, plane atentatesh dhe mijëra komunikime të koduara në Sky ECC.
Dosja e njohur si “Revanshi” do të zbulonte prapaskenat e një historie ku miqësia u kthye në armiqësi, ndërsa hakmarrja u kthye në planifikim vrasjesh.
Por çfarë ndodhi në të vërtetë? Kush ishte në shënjestër dhe si u organizuan planet për eliminimin e Ervis Martinajt dhe Erigers Mihasit?
Kjo është historia e një revanshi që nisi me një vrasje dhe la pas shumë pikëpyetje.
Sepse në botën e krimit, një vrasje nuk fillon gjithmonë me tërheqjen e këmbëzës. Shpesh ajo nis shumë më herët. Me një informacion për vendndodhjen e objektivit, me një fotografi, me një makinë që vihet në dispozicion, me një armë që sigurohet dhe me njerëz që caktohen për të vëzhguar çdo lëvizje.
Pikërisht këtë panoramë zbulojnë komunikimet e koduara në platformën Sky ECC, të përdorura nga një grup personash që dyshohet se kishin organizuar një plan për eliminimin e Ervis Martinajt dhe njerëzve të afërt me të. Në qendër të këtij organizimi, prokuroria vendos Leonard Dukën. Përkrah tij, në komunikime shfaqen vëllai Erlis Duka, Drianto Bardhi, Fatmir Hyseni dhe Altin Gega.
Hetuesit kanë rindërtuar një seri episodesh që nisin në qershor të vitit 2020 dhe vijojnë përgjatë muajve të verës. Një periudhë gjatë së cilës, sipas akuzës, objektivi nuk ishte vetëm gjetja e Ervis Martinajt, por edhe identifikimi dhe eliminimi i personave që konsideroheshin pjesë e rrethit të tij.
Për të lokalizuar dhe ndjekur Ervis Martinajn, me qëllim eliminimin e tij, sipas komunikimeve të zbardhura nga Sky ECC, grupi dyshohet se kishte parashikuar përdorimin e një sërë mjetesh dhe pajisjesh, që dëshmojnë shkallën e përgatitjes së planit. Nga automjetet që do të përdoreshin për lëvizjen dhe vëzhgimin në terren, dylbitë për të mbajtur nën kontroll objektivat nga distanca, snajperi dhe armët automatike, deri te ideja e sigurimit të një mjeti lundrues për të monitoruar pronat dhe zonat bregdetare nga deti. Në komunikime diskutohej gjithashtu blerja e një droni me rreze infra të kuqe, që mund të mbante deri në 12 kilogramë peshë dhe të mundësonte vëzhgimin edhe gjatë natës, si dhe përdorimi i radiove për komunikim mes personave të angazhuar në terren. Një arsenal mjetesh, ku secili element duket se kishte një rol në lokalizimin, vëzhgimin dhe përgatitjen e sulmit. Për sigurimin e kushteve për realizimin e vrasjes së Ervis Martinajt dhe Erigers Mihasit, SPAK ka kërkuar dënimin me 10 vite burg për Leonard Dukën dhe 6 vite për Drianto Bardhin.
QERSHOR 2020 – NIS VËZHGIMI
Gjithçka nis të marrë formë në komunikimet e datave 13 dhe 14 qershor 2020.
Leonard Duka komunikon me Fatmir Hysenin, i cili i përcjell informacione për lëvizjet dhe vendqëndrimet e Ervis Martinajt. Sipas bisedave, Martinaj ishte parë në zonën e Lezhës dhe Laçit, por lëvizte me masa të shtuara sigurie. Nuk dilte pa persona që e shoqëronin dhe qëndronte kryesisht në ambiente të mbyllura.
Në të njëjtat komunikime përmenden edhe persona të tjerë të afërt me të, mes tyre Elion Hato dhe Erigers Mihasi. Por interesimi i grupit nuk kufizohej vetëm te vendndodhja e Martinajt. Në një tjetër komunikim, Altin Gega i propozon Leonard Dukës të identifikojnë njerëzit që merreshin me aktivitetin e tij jashtë vendit, me qëllim përfitimin e një sasie të konsiderueshme droge. Përmenden Belgjika dhe Holanda, si dhe një skemë për të krijuar një kontakt të rremë tregtar.
Kështu, që në ditët e para të komunikimeve, shfaqen dy drejtime paralele. Përplasja me Ervis Martinajn dhe interesat e lidhura me aktivitetin e narkotikëve.
Më 17 qershor, komunikimet kalojnë në një fazë tjetër. Leonard Duka i kërkon Drianto Bardhit të angazhohet për të vëzhguar një vend në zonën e Surrelit, ku dyshohej se mund të ndodhej Ervis Martinaj. Drianto i përgjigjet se nuk e njeh Martinajn personalisht dhe e ka parë vetëm në fotografi. Për këtë arsye, Leonardi i dërgon imazhet e tij dhe organizon vëzhgimin. Në këtë episod përmenden edhe dylbitë, kapelet për kamuflim dhe një automjet “Audi A3”, me të cilin do të bëhej transporti drejt pikës së vrojtimit.
Drianto raporton se nuk ka lëvizje. Qëndron në pritje dhe më pas njofton se mund të largohet. Për SPAK, ky episod është një nga elementët që dëshmon përfshirjen e tij në lokalizimin dhe vëzhgimin e objektivit.
ERIGERS MIHASI DHE OBJEKTIVAT E TJERË
Më 19 qershor 2020, në komunikimet e Leonard Dukës me Altin Gegën dhe Fatmir Hysenin përmendet shpallja në kërkim e Erigers Mihasit.
Një ditë më parë, në banesën e Gëzim Harokut, në fshatin Yrshek të Tiranës, policia kishte konstatuar një arsenal armësh. Në lidhje me këtë ngjarje, Mihasi ishte shpallur në kërkim. Lajmi diskutohet nga personat që komunikojnë në Sky ECC. Në biseda shfaqet edhe ideja se kapja e tij do të dobësonte pozitat e Ervis Martinajt. Por paralelisht, në komunikime shfaqet një tjetër objektiv, i identifikuar me emrin Olci. Sipas interpretimit të prokurorisë, bëhet fjalë për një person që dyshohej se ishte punonjës policie dhe kishte lidhje me Martinajn.
Më 24 qershor, Leonard Duka dhe Fatmir Hyseni diskutojnë për sigurimin e fotografive të tij dhe për gjetjen e vendndodhjes. Në biseda përmendet edhe një person i quajtur Lala, i cili dyshohet se ishte angazhuar për këtë objektiv.
Pra, në këtë fazë, komunikimet nuk flasin vetëm për një person. Ato përshkruajnë një rreth objektivash, ku emrat dhe pseudonimet përsëriten në biseda të ndryshme.
Në fillim të korrikut, vëmendja zhvendoset sërish te njerëzit që mund të ndihmonin për të lokalizuar Martinajn. Më 5 korrik, Fatmir Hyseni i tregon Leonard Dukës se pret të takojë një person që mund të ndihmojë për të nxjerrë Ervis Martinajn nga vendi ku qëndronte. Në bisedë përmendet Domart Konjari, i cili, sipas komunikimeve, kishte kontakte me të. Ndërkohë, më 10 korrik, një informacion tjetër e çon vëmendjen në Dhërmi. Leonard Duka i tregon Fatmir Hysenit se kishte marrë informacion nga një femër, sipas të cilit një grua e afërt me Ervis Martinajn ndodhej në një ambient të njohur në Dhërmi, në zonën e quajtur “Vin Bakalli”.
Dyshimi ishte se edhe vetë Martinaj mund të ndodhej aty. Fatmir Hyseni i përgjigjet se do të dërgojë nipin dhe persona të tjerë për të vëzhguar zonën. Në vazhdim, Leonard Duka i dërgon edhe fotografinë e gruas për të cilën bëhej fjalë. Në ditët që pasojnë, komunikimet tregojnë se kërkimi vazhdon edhe në drejtim të personave të tjerë të afërt me Martinajn.
Më 15 korrik përmendet një person i identifikuar si Viktori. Fatmir Hyseni dërgon fotografinë e tij dhe në bisedë diskutohet edhe mundësia e eliminimit të tij. Por episodi më domethënës i kësaj periudhe vjen më 24 korrik. Leonard Duka i dërgon Fatmir Hysenit fotografi të armëve dhe të një snajperi. Në komunikime shfaqen kërcënime të drejtpërdrejta ndaj kundërshtarëve dhe biseda për pritjen e momentit kur ata do të dilnin nga vendet ku qëndronin të fshehur. Përmendet edhe një person i njohur me emrin Hoxha, i cili shfaqet në bisedat me Fatmirin. Në vijim, më 28 dhe 29 korrik, kërkimi zhvendoset sërish në jug të vendit.
Fatmir Hyseni i tregon Leonard Dukës se kishte marrë informacion për disa prona që Ervis Martinaj dyshohej se kishte në zonën e Vunoit, Dhërmiut dhe Himarës. Përmendet dërgimi i personave për të vëzhguar zonën, si dhe mundësia e marrjes së një vile për t’u përdorur si bazë. Në këto komunikime diskutohet edhe sigurimi i një mjeti lundrues, që do të mundësonte kontrollin nga deti. Më 30 korrik, në këtë operacion të dyshuar vëzhgimi përfshihet edhe Drianto Bardhi. Ai i raporton Leonard Dukës nga zona bregdetare, duke i treguar për lëvizjet në lokale dhe për personat që konstaton në ambiente të ndryshme. Përmenden lokali Jaht, zona e Himarës dhe ambiente të tjera ku dyshohej se mund të shfaqeshin njerëzit që kërkonin.
Një ditë më vonë, Drianto raporton se kishte kontrolluar edhe zona të tjera, përfshirë Jalën. Por, pavarësisht lëvizjeve dhe vëzhgimeve, objektivi kryesor nuk ishte lokalizuar.
GUSHT 2020 – PLANI MERR PËRPARËSI
Në fillim të gushtit 2020, komunikimet bëhen edhe më intensive. Më 1 gusht, Leonard Duka i tregon Fatmir Hysenit se kishte shkuar në zonën ku dyshonte se mund të ndodhej objektivi. Përmend edhe mundësinë e përdorimit të radiove për të komunikuar më shpejt. Në të njëjtat biseda diskutohet një skemë ku disa femra do të përdoreshin për të krijuar një takim dhe për të nxjerrë në terren persona që kërkoheshin prej tyre.
Sipas komunikimeve, Leonard Duka dyshonte se edhe pala tjetër mund të kishte tentuar të përdorte femra për ta afruar në një pritë. Për këtë arsye, takimet dhe personat që shfaqeshin në to trajtoheshin me dyshim. Më 2 gusht, bisedat vazhdojnë me diskutime për armët, snajperin dhe automjetet që do të përdoreshin. Përmendet edhe mundësia e heqjes së kamerave në një ambient pranë një hoteli, ku sipas dyshimeve të prokurorisë mund të realizohej një sulm ndaj personave të lidhur me Ervis Martinajn. Në këto biseda përmendet sërish Boli, identifikuar si Erigers Mihasi, si dhe Olci, që dyshohet se i referohet një personi tjetër të lidhur me Martinajn.
Më 3 gusht, komunikimet me Drianto Bardhin marrin një tjetër drejtim. Leonard Duka interesohet për blerjen e një droni. Nuk bëhet fjalë për një pajisje të zakonshme. Në bisedë kërkohet një dron që të mbajë peshë deri në 12 kilogramë dhe të ketë sistem infra të kuqe, për të mundësuar vëzhgimin edhe gjatë natës. Drianto dërgon fotografi të një pajisjeje që kushtonte 1 milion e 600 mijë lekë. Në të njëjtën kohë, diskutohet sigurimi i fishekëve, transportimi i armëve dhe një automjeti që do të vinte nga Kosova. Në komunikimet me Fatmir Hysenin, Leonard Duka diskuton edhe për një snajper dhe për mundësinë e heqjes së kamerave në ambientin ku mendohej të realizohej sulmi.
Më 4 gusht, interesi për dronin vazhdon. Leonard Duka dhe Drianto Bardhi diskutojnë për blerjen dhe transportimin e pajisjes. Kjo pajisje do të bëhej një nga elementet e rëndësishme të përgatitjeve të dyshuara. Më 6 gusht, Leonard Duka i kërkon Altin Gegës të sigurojë një automjet që do të përdorej për largimin e personave pas një ngjarjeje të planifikuar. Ndërkohë, Drianto Bardhi i raporton për provën e dronit. Më 7 gusht, Drianto merr porosi të kontrollojë dhe pastrojë një automjet, i cili mund të nevojitej për veprime të mëtejshme.
Një ditë më pas, më 8 gusht, komunikimet bëhen konkrete edhe në lidhje me transportimin e armëve. Leonard Duka i kërkon Drianto Bardhit të shkojë në zonën e Kodrës së Priftit, ku do të takohej me persona të tjerë për të marrë armët. Drianto konfirmon se ka mbërritur dhe më pas njofton se i ka marrë ato. Në bisedë përmendet vendosja e armëve në automjetin që do të përdorej për këtë qëllim. Por plani nuk ecën sipas parashikimeve.
Por më 11 gusht vjen një tjetër pengesë. Drianto i tregon Leonardit se droni ishte mbajtur bashkë me telefonin e personit që e kishte provuar. Sipas bisedës, pajisja ishte përdorur nga një person që punonte në strukturat e Forcave të Armatosura dhe ishte testuar në ambientet e një reparti ushtarak. Për këtë arsye, autoritetet e kishin ndaluar dhe sekuestruar.
Pavarësisht kësaj, komunikimet për planifikimin e sulmit vazhdojnë. Drianto sugjeron edhe një mënyrë tjetër për të vëzhguar objektivat, ndërsa Leonard Duka i përgjigjet se duhet të takohen dhe të diskutojnë planin. Në këtë fazë, komunikimet me Fatmir Hysenin tregojnë se përgatitjet po përqendroheshin te një takim i organizuar me disa femra. Sipas bisedave, ato mund të ndihmonin për të identifikuar personat që do të shfaqeshin në një vend të caktuar. Fatmir Hyseni këmbëngul që të kishte persona të vendosur në pika të ndryshme, të cilët mund të njihnin objektivat. Në këtë skemë përfshihen Klajdi dhe Altin Gega, pasi sipas komunikimeve ata mund të identifikonin personat që do të shfaqeshin.
Më 11 gusht diskutohet për pozicionet e personave, për automjetet dhe për mundësinë që objektivat të shfaqeshin në një hotel apo ambient tjetër. Leonard Duka i tregon Altin Gegës se ai dhe Klajdi duhet të merren me vëzhgimin, ndërsa pjesa tjetër e personave do të qëndronte e përgatitur. Më 12 gusht, Altin Gega mbërrin për t’u bashkuar me grupin. Leonard Duka i kërkon të pushojë dhe të jetë i qetë përpara takimit. Ndërkohë, Fatmir Hyseni interesohet nëse janë marrë telefonat dhe nëse pajisjet Sky ECC janë të karikuara. Në biseda diskutohet edhe për një person që dyshohej se kishte nxjerrë informacione për planet e tyre. Në orët e pasdites, Fatmiri njofton se ishin siguruar karikatorë dhe ishin dhënë para për një kallashnikov. Ndërsa Leonard Duka priste konfirmimin për takimin me femrat që do të shërbenin si pikë kontakti.
Më 14 gusht, Leonard Duka i komunikon Fatmir Hysenit se kishin gjetur vendin ku dyshonin se qëndronte Ervis Martinaj. Bëhej fjalë për një vilë tjetër, jo për atë ku ai kishte qëndruar me familjen. Sipas bisedës, vendi ndodhej pranë lokalit Selekti. Leonardi tregon se kishte dërguar njerëz për të verifikuar ambientin dhe se grilat ishin të mbyllura. Për këtë arsye, kishte marrë edhe një dron, me idenë se mund të shihnin nëse personat ndodheshin në pishinë. Në të njëjtën bisedë, Fatmir Hyseni propozon edhe një mënyrë tjetër për eliminimin e objektivit, përmes helmimit të një personi të afërt me të.
Më 15 gusht, në orën 03:54, Erlis Duka i dërgon Leonardit një mesazh zanor ku i thotë se kishin mbërritur dhe se në orën 10 të mëngjesit duhej të nxirreshin tre kallashnikovët në zonën e Teleferikut, ku do t’i priste Klajdi. Ky komunikim është një tjetër element që prokuroria e përfshin në rindërtimin e përgatitjeve dhe sigurimit të armëve. Por, vetëm tri ditë më vonë, në këtë histori shfaqet një zhvillim që ndryshon përkohësisht rrjedhën e komunikimeve.
BISEDA DUKA – MARTINAJ
Në një bisedë të datës 18 gusht 2020, dy personat që prej kohësh shfaqeshin në komunikimet e Sky ECC si kundërshtarë, flasin për konfliktin e tyre, për miqësinë e dikurshme dhe për arsyet që i kishin çuar drejt përplasjes. Një nga temat kryesore është vrasja e Santiago Malkos dhe konflikti që kishte lindur pas përfshirjes së babait të Leonard Dukës në këtë histori.
Martinaj i thotë Leonardit se ai nuk do ta qëllonte nëse do ta shihte me gra apo me fëmijën e Erlisit. Nga ana tjetër, Leonardi këmbëngul se Santiago nuk kishte vepruar pa dijeninë e tij. Në këtë bisedë të dy flasin edhe për informacionet që kishin marrë lidhur me njerëz të angazhuar për të vrarë njëri-tjetrin. Martinaj i thotë Leonardit se nuk mund ta vriste me njerëzit e Vlorës dhe se duhej të përballeshin drejtpërdrejt, nëse kishin pretendime ndaj njëri-tjetrit.
Por, përtej kërcënimeve dhe akuzave, shfaqet edhe një tjetër çështje, paratë. Të dy diskutojnë për llogaritë financiare, për investimet e përbashkëta dhe për detyrimet që pretendonin se kishin ndaj njëri-tjetrit. Në vazhdim, Leonard Duka i kërkon Altin Gegës të përhapë informacionin se ai ofronte 2 milionë euro për këdo që do t’i tregonte vendndodhjen e Ervis Martinajt dhe 10 milionë euro për personin që do ta vriste.
Sipas interpretimit të SPAK, ky informacion synonte të tërhiqte njerëzit e rrethit të Martinajt dhe të krijonte mundësi për të siguruar të dhëna mbi lëvizjet e tij. Pra, ndërsa në njërën anë zhvilloheshin biseda për një pajtim të mundshëm, në anën tjetër vazhdonin komunikimet për lokalizimin dhe eliminimin e tij.
Më 20 gusht, Leonard Duka komunikon me Altin Gegën dhe Fatmir Hysenin. Altini i tregon se kishte përhapur informacionin për shpërblimin e ofruar për vendndodhjen dhe vrasjen e Martinajt. Ndërkohë, Fatmir Hyseni i përcjell informacione për një person të dyshuar se kishte ardhur në Vlorë me një automjet të blinduar dhe që mund të ishte dërguar nga Martinaj.
Në të njëjtën kohë, Leonard Duka vijon të kërkojë nga Martinaj sqarimin e llogarive financiare. Më 29 gusht, ai i kërkon paratë që pretendonte se i takonin. Më 31 gusht, biseda përqendrohet te një hotel që të dy pretendonin se e kishin blerë bashkë. Vlera e tij përllogaritej në rreth 2 milionë euro dhe diskutohet mundësia e shitjes apo ndarjes së pasurisë. Por kjo përpjekje nuk zgjat.
Më 1 shtator, Leonard Duka i shkruan Martinajt se nuk do të vazhdojë më komunikimin dhe se do të presë vetëm një javë për të marrë paratë. Në fund të mesazhit, ai i kujton se do të vazhdojnë ashtu siç e kishin nisur. Një ditë më pas, më 2 shtator, sipas dyshimeve të SPAK, policia kishte ushtruar kontrolle në ambientet ku qëndronin Leonard dhe Erlis Duka, me qëllim arrestimin e tyre. Nga komunikimet rezulton se ata ishin njoftuar për ndërhyrjen dhe kishin arritur të largoheshin përpara mbërritjes së forcave speciale. Në biseda diskutohet edhe dërgimi i Drianto Bardhit në një banesë për të larguar armët dhe telefonat.
Më 3 shtator, komunikimet mes Leonard Dukës dhe Ervis Martinajt bëhen sërish të ashpra. Martinaj e akuzon se kishte tentuar ta vriste pas shpine, ndërsa Leonardi këmbëngul për kthimin e parave. Përplasja financiare dhe ajo personale duket se kanë marrë fund. Por armiqësia, sipas bisedave, nuk është shuar.
Megjithatë, të paktën me aq sa rezulton në bisedat e zhvilluara në Sky ECC, pavarësisht angazhimit maksimal dhe shumës prej 10 milionë euro të ofruara, vrasja e Ervis Martinajt nuk është realizuar.
Ky ishte episodi për të cilin SPAK shpalli pretencën me 5 nëntor 2026, për Leonard Dukën dhe Drianto Bardhin. Edhe pse për të njëjtat akuza janë marrë të pandehur edhe persona të tjerë, çështja për Dukën dhe Bardhin është veçuar.
Konkretisht, sipas dosjes së Prokurorisë, për sigurimin e kushteve për të vrarë Ervis Martinajn, persona të ndryshëm kishin role të ndryshme:
Sipas SPAK, Leonard Duka ka pasur rolin e porositësit, financuesit, sigurimit të armëve dhe automjeteve për vrasjen e shtetasit Ervis Martinaj dhe lidhjeve të tij.
Erlis Duka ka pasur rolin e organizuesit, vëzhguesit dhe ekzekutorit. Drianto Bardhi, ka pasur rolin e vëzhguesit, transportuesit të armëve dhe municioneve dhe lokalizimin e Martinajt dhe lidhjeve të tij. Shtetasi Fatmir Hyseni, ka pasur rolin e lokalizuesit, vëzhguesit dhe ekzekutorit. Ndërsa Altin Gega, ka pasur rolin e vëzhguesit, transportuesit të armëve dhe municioneve dhe lokalizimin e Ervis Martinajt dhe lidhjeve të tij.
Por plani për eliminimin e Ervis Martinajt, sipas hetimeve, nuk shfaqet vetëm në komunikimet e zbardhura përmes platformës Sky ECC. Përtej bisedave të koduara, emrave të përdorur dhe ndarjes së roleve mes personave të përfshirë, një tjetër dosje hetimore kishte zbuluar më herët një mekanizëm tjetër, më konkret, për të siguruar informacion mbi lëvizjet e tij.
Në këtë dosje, që i përket vitit 2019, gjurmët nuk të çonin vetëm te telefonat e koduar, por edhe te një agjenci udhëtimesh. Përmes rezervimeve të biletave, kërkesave për viza dhe komunikimeve me kompanitë ajrore, siguroheshin të dhëna për destinacionet, datat dhe oraret e udhëtimeve të Martinajt.
Nëse në dosjen Sky ECC plani lexohet përmes mesazheve, në dosjen e biletave ai ndërtohet përmes rezervimeve, pagesave, dëshmive dhe komunikimeve telefonike. Dy dosje, dy rrugë hetimore, por një emër që shfaqet në qendër të tyre, Ervis Martinaj.
BILETAT E VDEKJES
Gjithçka nis me një njohje në jug të vendit, në verën e vitit 2018. Në dëshminë e dhënë përpara policisë gjyqësore më 14 nëntor 2019, Nensi Shaqiri, punonjëse ne një agjenci udhëtimesh te rruga “Myslym Shyri”, në Tiranë, rrëfen se ishte njohur me Deivison Serjanin gjatë pushimeve në Himarë. Njohja mes tyre ishte shndërruar më pas në një marrëdhënie shoqërore, përmes së cilës ajo kishte njohur edhe persona të tjerë të rrethit të tij. Në nëntor të vitit 2018, në Vlorë, ajo prezantohet për herë të parë me Daut Elmazin.
Sipas dëshmisë, Elmazi kishte ardhur nga Italia me një automjet tip fuoristradë, të cilin do t’ia sillte në Vlorë Deivison Serjanit. Pikërisht gjatë kësaj periudhe, dëshmitarja thotë se kishte krijuar njohje personale me të. Por emri i Daut Elmazit do të bëhej edhe më i rëndësishëm në muajt që pasuan. Në shkurt të vitit 2019, pas një atentati të ndodhur në Vlorë, ku mbetën të vrarë dy persona dhe një tjetër u plagos, sipas rrëfimit të dëshmitares, ajo kishte mësuar se personi i plagosur ishte Armando Sulejmani, i njohur si “Çipuri”, daja i Daut Elmazit.
Pas kësaj ngjarjeje, marrëdhëniet mes tyre vazhduan. Daut Elmazi, sipas dëshmisë, kishte shfaqur shqetësim për sigurinë e tij dhe kishte kërkuar ndihmë për organizimin e udhëtimeve jashtë Shqipërisë. Në maj të vitit 2019, ai i kërkon Nensi Shaqirit të sigurojë dy bileta udhëtimi drejt Belgjikës, për Fatmir Hysenin dhe një person tjetër. Fillimisht, kërkesa nuk realizohet, pasi Fatmir Hyseni ishte plagosur gjatë një atentati me armë në Vlorë. Por ky ishte vetëm fillimi i një historie që do të merrte një tjetër drejtim.
Në qershor të vitit 2019, Nensi Shaqiri merr një kërkesë të re. Këtë herë bëhej fjalë për sigurimin e vizave turistike për në Dubai. Sipas dëshmisë, kërkesa i kishte ardhur përmes Daut Elmazit, i cili i kishte përcjellë të dhënat e personave që do të udhëtonin. Mes tyre ishin Ervis Martinaj dhe një vajzë me emrin Pamela. Dëshmitarja rrëfen se kishte kontaktuar me agjencinë turistike, kishte përcjellë dokumentacionin dhe më pas kishte aplikuar edhe vetë për vizë. Pas plotësimit të procedurave, ajo kishte marrë të dhënat e udhëtimit, përfshirë datat, oraret dhe itinerarin.
Sipas saj, në atë moment nuk kishte pasur dijeni për ndonjë plan kriminal që mund të fshihej pas këtij organizimi. Por kërkesat nuk përfunduan me sigurimin e vizave. Daut Elmazi e kontakton sërish dhe i kërkon të ndërhyjë për biletat e udhëtimit të Ervis Martinajt. Itinerari i diskutuar ishte Prishtinë–Stamboll–Dubai. Në këtë fazë, sipas dëshmisë, Daut Elmazi kishte kërkuar një fotografi të biletave, duke i thënë se paratë do të siguroheshin brenda dy ose tri ditësh.
Dëshmitarja përshkruan edhe një takim me të, pranë stadiumit “Dinamo”, ku sipas saj, Elmazi i kishte kërkuar që t’i dërgonte fotografitë e biletave, duke e siguruar se pagesa do të kryhej më vonë. Ajo rrëfen se kishte kërkuar sqarime për personat që do të udhëtonin dhe kishte shfaqur shqetësim për mënyrën se si po zhvilloheshin këto biseda. Në një tjetër episod, dëshmitarja përmend një person të njohur me nofkën “Gegia”, i cili ishte përfshirë në komunikimet për udhëtimin e Ervis Martinajt. Sipas saj, ky person kishte kërkuar që të realizohej një fotografi e biletës, ndërsa më pas i ishte përcjellë informacioni se Martinaj do të udhëtonte drejt Dubait.
Por në këtë histori shfaqen edhe emra të tjerë. Në dëshmi përmenden Leonard Duka, vëllai i tij Erlisi, Fatmir Hyseni, Igli Memaj dhe persona të tjerë, të cilët, sipas rrëfimit të saj, kishin pasur komunikime ose ishin përfshirë në organizimin e udhëtimeve. Dëshmitarja pretendon se Daut Elmazi kishte pasur kontakte të vazhdueshme me këta persona dhe se në disa raste kishte diskutuar edhe për pagesat që lidheshin me sigurimin e biletave. Në një episod tjetër, ajo përmend një shumë prej 30 mijë eurosh, të cilën thotë se e kishte marrë për shërbimin e kryer, ndërsa në bisedat e zhvilluara ishte diskutuar edhe për një detyrim financiar më të madh.
Komunikimet nuk do të ndaleshin këtu. Në gusht të vitit 2019, shfaqet një tjetër kërkesë për rezervimin e një bilete udhëtimi për Ervis Martinajn, këtë herë me itinerarin Athinë–Stamboll–Valencia, për datat 11–18 gusht. Sipas dëshmisë, një person i panjohur e kishte kontaktuar për të realizuar rezervimin. Ajo kishte kërkuar konfirmimin e udhëtimit dhe kishte komunikuar me Fatmir Hysenin dhe Leonard Dukën për këtë çështje. Në një telefonatë, përgjigjja që kishte marrë ishte e shkurtër: “OK”.
Por pas këtyre rezervimeve, kërkesave për bileta dhe komunikimeve mes personave të ndryshëm, hetuesit do të përpiqeshin të rindërtonin një panoramë shumë më të gjerë. Një panoramë ku udhëtimet, pagesat dhe kontaktet nuk do të shiheshin më si episode të shkëputura, por si pjesë e një zinxhiri veprimesh që, sipas akuzës së ngritur dhe vendimit të gjykatës, lidhej me planin për eliminimin e Ervis Martinajt.
Por ndërsa organizoheshin udhëtimet dhe siguroheshin dokumentet për lëvizjet e Ervis Martinajt, në hetim shfaqen edhe episode të tjera që tregojnë se interesi për vendndodhjen dhe itinerarin e tij nuk kufizohej vetëm te rezervimi i biletave. Një prej tyre lidhet me ngjarjen e 10 majit 2019, kur në Vlorë u tentua të vriteshin Inez Hajrulla, Ervis Matodashaj dhe persona të tjerë. Në deklarimet e administruara gjatë hetimit, Ardjan Ahmeti, ish-specialist IT në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, tregon për një takim me Daut Elmazin, në banesën e këtij të fundit. Sipas dëshmisë, Elmazi i kishte kërkuar ta shoqëronte në një zonë të varrezave të Babicës, për të kontrolluar nëse rruga ishte nën vëzhgimin e policisë.
Gjatë këtij episodi, sipas deklarimit të Ahmetit, ata kishin kontrolluar edhe një rrugë tjetër, në zonën e Panajasë. Elmazi kishte përmendur mundësinë që në atë zonë të kalonte një automjet “Skoda” dhe kishte kërkuar që të kontrollohej nëse kishte prani të policisë.
Një episod që, i marrë veçmas, mund të duket si një lëvizje e zakonshme. Por në kontekstin e hetimit, ai merr një tjetër rëndësi, pasi autoritetet po përpiqeshin të rindërtonin marrëdhëniet dhe veprimet e personave që dyshoheshin se kishin bashkëpunuar në ngjarje të rënda kriminale.
Ndërkohë, një tjetër dëshmi hedh dritë mbi mënyrën se si po siguroheshin informacionet për lëvizjet e Ervis Martinajt. Në deklarimin e tij përpara policisë gjyqësore, Deivison Serjani tregon se kishte njohur Fatmir Hysenin, të njohur me nofkën “Doçja”, si dhe persona të tjerë përmes Daut Elmazit. Ai konfirmon se Nensi Shaqiri ishte e përfshirë në organizimin e udhëtimeve dhe se kishte pasur kontakte me personat që kërkonin bileta për Ervis Martinajn. Por në një moment, sipas dëshmisë së Serjanit, çështja e udhëtimeve kishte kaluar në një konflikt për paratë dhe informacionet që kërkoheshin. Bëhej fjalë për shuma të konsiderueshme.
Në një nga episodet e përshkruara, Daut Elmazi i kishte kërkuar Nensi Shaqirit informacion për lëvizjet dhe rrugën e kthimit të Ervis Martinajt. Për këtë informacion, sipas deklarimeve, ishte diskutuar një shumë prej 150 mijë eurosh. Por pagesa nuk ishte kryer sipas pritshmërive të palëve. Dëshmitë përshkruajnë një përplasje mes personave të përfshirë në këtë komunikim. Nga njëra anë kërkoheshin para për informacionin e siguruar, ndërsa nga ana tjetër pretendohej se shuma e kërkuar nuk ishte pranuar apo paguar plotësisht. Në një moment, Nensi Shaqiri përmend edhe një detyrim prej 27 deri në 30 mijë eurosh ndaj agjencisë turistike ku punonte. Sipas saj, kjo shumë ishte bërë pjesë e konfliktit me personat që kërkonin informacion për udhëtimet.
Në dëshmi përmenden edhe shuma prej 70 mijë eurosh, 150 mijë eurosh dhe një ofertë deri në 250 mijë euro për informacione të tjera që lidheshin me Ervis Martinajn. Shifrat dhe pretendimet e ndryshme për pagesat tregojnë se në këtë histori nuk bëhej fjalë thjesht për një shërbim rezervimi biletash. Informacioni mbi itinerarin, datat dhe mbërritjen e Martinajt ishte kthyer në objekt të një marrëdhënieje të tensionuar mes disa personave. Një nga episodet më domethënëse lidhet me udhëtimin drejt Valencias. Sipas dëshmisë së Nensi Shaqirit, ajo kishte siguruar biletën e udhëtimit për Ervis Martinajn, me itinerarin Athinë–Stamboll–Valencia, për datat 11 deri më 18 gusht 2019. Në fillim, rezervimi ishte konfirmuar.
Por kur kishte ardhur momenti i udhëtimit, situata kishte ndryshuar. Nensi tregon se kishte kontaktuar kompaninë ajrore për të verifikuar udhëtimin. Ajo kishte mësuar se Martinaj kishte mbërritur në Stamboll dhe se pritej të vazhdonte drejt Valencias në orarin e përcaktuar. Këtë informacion, sipas saj, ia kishte përcjellë Leonard Dukës. Madje, dëshmitarja pretendon se kishte komunikuar edhe informacionin për targat e automjetit që do të priste Martinajn në destinacion. Por në Valencia, personat që e prisnin nuk e kishin gjetur atë.
Sipas rrëfimit të saj, ishte raportuar edhe humbja e valixhes në aeroport. Ajo kishte kontaktuar me agjencinë dhe me personelin e aeroportit për të sqaruar situatën. Këto shpjegime, megjithatë, nuk ishin pranuar nga personat me të cilët ajo komunikonte. Leonard Duka dhe personat e tjerë, sipas dëshmisë, kishin ndërprerë kontaktet me të për rreth një javë. Dhe pikërisht pas këtij episodi, marrëdhëniet mes tyre do të merrnin një drejtim edhe më konfliktual. Në dëshmi përmendet një person i njohur si Elvis Gaçaj, me nofkën “Gabeli”, i cili kishte shkuar në vendin ku punonte Nensi dhe i kishte kërkuar të takonte Leonard Dukën dhe Daut Elmazin. Më vonë, ajo ishte thirrur në ambientet e lokalit “La Famiglia”, në zonën e Freskut. Sipas rrëfimit të saj, aty ndodheshin Leonard Duka, vëllai i tij Erlis Duka, Fatmir Hyseni dhe persona të tjerë. Ata i kërkonin të tregonte gjithçka dinte për udhëtimin dhe informacionet që kishte siguruar për Ervis Martinajn.
Nensi pretendon se gjatë këtij takimi është ushtruar presion ndaj saj. Sipas deklarimit, personat e pranishëm e kishin goditur dhe kërcënuar, ndërsa Elis Duka i kishte drejtuar një armë dhe i kishte thënë se do ta vriste. Ajo tregon se i kërkonin të kthente paratë, ndërsa vetë pretendonte se kishte kryer shërbimet e kërkuara dhe kishte paguar detyrimet ndaj agjencisë turistike.
Pas këtij episodi, sipas dëshmisë, ajo kishte takuar Leonard Dukën dhe i kishte treguar fotografitë e komunikimeve që dokumentonin informacionet e përcjella dhe shërbimet e kryera. Në fund të deklarimit, Nensi Shaqiri këmbëngul se nuk kishte pasur qëllim të përfshihej në veprime kriminale dhe se ishte futur në këtë situatë përmes kërkesave të Daut Elmazit. Por ndërkohë që hetuesit mblidhnin këto dëshmi, një tjetër ngjarje do të shtonte tensionin rreth personave të përfshirë në këtë histori.
Më 29 gusht 2019, në Tiranë vritet Santiago Malko, një person që njihej si mik të Ervis Martinajt. Në dëshminë e saj, Nensi përmend se pas kësaj ngjarjeje komunikimet dhe takimet me personat e tjerë ishin bërë edhe më të tensionuara. Për hetuesit, rëndësi merrte tashmë jo vetëm mënyra se si ishin siguruar biletat, por edhe fakti se kush kërkonte informacion për lëvizjet e Martinajt, kujt i përcillej ky informacion dhe çfarë synimi kishte pas tij.
Më 8 nëntor 2019, Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë cakton masën e sigurisë “Arrest në burg” për pesë persona: Fatmir Hyseni, Daut Elmazi, Albano Goxhaj, Igli Memaj dhe Gentjan Dautaj. Pesë ditë më vonë, më 13 nëntor, Policia ekzekuton vendimet e arrestit për personat e përfshirë në procedimin penal. Paralelisht kryhen kontrolle në banesa dhe automjete, me qëllim sigurimin e provave të tjera. Dokumentet e hetimit përshkruajnë kështu një zinxhir kontaktesh, udhëtimesh, informacionesh dhe pagesash, që do të bëhej pjesë e një çështjeje penale për ngjarje të rënda kriminale. Në qendër të kësaj historie mbetet Ervis Martinaj. Një person, lëvizjet e të cilit, sipas dëshmive të administruara, ishin kthyer në objekt interesi për disa prej personave që më vonë u vunë nën hetim.
Por kush ishte hallka që lidhte informacionin e siguruar për Ervis Martinajn me personat që dyshohej se kërkonin eliminimin e tij?
Në materialin hetimor shfaqet gjithnjë e më qartë emri i Daut Elmazit. Sipas deklarimeve të administruara, ai ishte personi që ndërmjetësonte komunikimin mes Nensi Shaqirit, Deivison Serjanit dhe Fatmir Hysenit. Policia arrin në përfundimin se, nga muaji maj deri më 22 gusht 2019, këta persona kishin bashkëpunuar në mënyrë aktive për sigurimin e informacionit mbi lëvizjet e Ervis Martinajt. Në këtë bashkëpunim, në dosje përmenden Daut Elmazi, Fatmir Hyseni, Leonard Duka, Elis Duka, Igli Memaj, Gentjan Dautaj dhe Ardjan Ahmeti.
Në një tjetër episod, shfaqet pretendimi për një person që punonte në Policinë e Durrësit dhe që, sipas deklarimeve, kishte siguruar informacione për lëvizjet e Martinajt. Për këtë person ishte kërkuar pagesë, ndërsa në bisedat mes protagonistëve përmendej edhe një shumë prej 20 mijë eurosh. Daut Elmazi kishte kërkuar që Ardjan Ahmeti të takohej me Fatmir Hysenin për të diskutuar çështjen e informacionit dhe parave. Takimi zhvillohet në Kamëz.
Sipas dëshmisë së Ahmetit, Fatmir Hyseni i kishte dhënë atij një telefon të markës “Enkro”, përmes të cilit do të vazhdonin komunikimet për informacionet që kërkoheshin mbi Ervis Martinajn. Por kërkesat nuk përfundonin këtu. Në një tjetër episod, Ardjan Ahmeti tregon se ishte marrë me një automjet dhe ishte dërguar pranë Fatmir Hysenit. Aty ishte takuar edhe me një person tjetër, rreth 28-29 vjeç, të cilin nuk e njihte. Ky i fundit i kishte kërkuar që të gjente sërish informacione për lëvizjet e Martinajt, duke i premtuar se, nëse puna do të realizohej, do të merrte paratë për të cilat ishte folur më parë.
I gjithë ky komunikim, sipas hetuesve, tregonte se informacioni mbi Ervis Martinajn nuk kërkohej në mënyrë rastësore. Ai ishte kthyer në një objektiv të vazhdueshëm, për të cilin negocioheshin shuma të konsiderueshme parash.
Ndërkohë, në dosje shfaqet edhe një tjetër episod që lidhet me atentatin e 10 majit 2019 në Vlorë. Në deklarimet e Ardjan Ahmetit përmenden biseda të zhvilluara mes Daut Elmazit, Igli Memajt dhe Gentjan Dautajt, të njohur si “Gegja”. Gjatë një takimi në lokalin “Lungo Mare”, sipas dëshmisë, ata kishin diskutuar për ngjarjen e ndodhur në Vlorë.
Në bisedë ishte përmendur edhe mënyra se si autorët kishin mundur të largoheshin pas atentatit. Igli Memaj kishte treguar se kishte qenë drejtues i një fuoristrade dhe se gjatë largimit, pranë spitalit, automjeti kishte pësuar një problem në timon. Sipas rrëfimit, ata kishin lënë automjetin në një zonë të fshehtë dhe më pas ishin larguar me mjete të tjera. Ky episod ishte pjesë e verifikimeve që po kryheshin nga hetuesit për të rindërtuar marrëdhëniet mes personave të përfshirë në këtë grup dhe aktivitetin e tyre.
Por për dosjen që lidhej me Ervis Martinajn, elementi më i rëndësishëm mbetej zinxhiri i informacionit. Pra, në këtë histori, biletat e avionit nuk ishin më thjesht dokumente udhëtimi. Ato shërbenin për të identifikuar datat, destinacionet dhe oraret e lëvizjeve të një personi që, sipas përfundimeve të hetimit, ishte objekt i një plani për eliminim fizik. Hetuesit administruan edhe përgjimet telefonike mes Deivison Serjanit dhe Nensi Shaqirit, përfshirë dy komunikime të datës 15 qershor 2019. Këto përgjime, sipas dokumentit, përputheshin me deklarimet e tyre dhe shërbenin për të verifikuar komunikimet mbi informacionet e udhëtimeve.
Kështu, dosja ndërton një panoramë të një mekanizmi ku udhëtimet, informacionet, komunikimet dhe paratë ndërthureshin në funksion të një qëllimi kriminal. Por në një kohë që për këtë dosje, ka persona tashmë të dënuar, për dosjen tjetër, atë “Revanshi”, ende nuk ka një vendimmarrje, por vetëm një pretencë të SPAK, edhe kjo vetëm për dy persona, pasi të tjerët janë ende në gjykim.
Në historinë e Ervis Martinajt, gjurmët e një plani të dyshuar për eliminimin e tij shfaqen shumë kohë përpara zhdukjes së gushtit 2022.
Fillimisht, ishin biletat e udhëtimit. Itineraret, destinacionet dhe oraret e fluturimeve, informacione që sipas hetimit siguroheshin përmes një agjencie turistike dhe përcilleshin nga një person te tjetri. Pas tyre qëndronin shuma të konsiderueshme parash dhe një mekanizëm që synonte të dinte çdo lëvizje të Martinajt.
Por kjo ishte vetëm një pjesë e historisë. Më vonë, hetimet e dosjes së njohur si “Revanshi” do të zbulonin një tjetër panoramë përmes mijëra komunikimeve të koduara në aplikacionin SKY ECC. Biseda që, sipas SPAK-ut, dokumentonin planet për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për eliminimin fizik të Ervis Martinajt dhe Erigers Mihasit.
Në qendër të këtij fraksioni hetimor u vendosën Leonard Duka dhe Drianto Bardhi. Sipas akuzës, gjatë periudhës qershor-shtator 2020, ata, në bashkëpunim me persona të tjerë, kishin kontribuar në krijimin e kushteve për realizimin e atentateve.
Më 5 nëntor 2026, Prokuroria e Posaçme paraqiti pretencën: 10 vite burg për Leonard Dukën dhe 6 vite për Drianto Bardhin. Një kërkesë për gjithsej 16 vite heqje lirie, për një dosje ku mijëra mesazhe të koduara u kthyen në prova për të rindërtuar marrëdhëniet, konfliktet dhe planet e dyshuara kriminale.
Por drejtësia ende nuk ka dhënë fjalën e fundit. Pretenca nuk është vendim gjyqësor dhe përgjegjësia penale e dy të pandehurve do të përcaktohet nga gjykata. Ndërkohë, njëri prej objektivave të këtyre planeve të dyshuara, Erigers Mihasi, u ekzekutua në nëntor 2021. Megjithatë, vrasja e tij nuk është lidhur me këto biseda që ndodhen në dosjen hetimore dhe vijon të jetë e pazbardhur. Tjetri, Ervis Martinaj, rezulton i zhdukur që prej gushtit 2022. Për të nuk ka ende një përgjigje përfundimtare mbi fatin e tij, vendndodhjen apo rrethanat e zhdukjes.
Nga informacionet e rezervimeve turistike te mesazhet e enkriptuara, nga premtimet për para te planet e dyshuara për atentate, dosjet kanë zbuluar pjesë të një historie shumë më të madhe se një konflikt mes dy grupeve kriminale.
Një histori ku miqtë u kthyen në armiq, ku vrasjet prodhuan hakmarrje dhe ku informacioni u shndërrua në një armë po aq të rrezikshme sa vetë armët.
Por pyetja që mbetet është ende e njëjtë. Ku është Ervis Martinaj?
A përfundoi ai viktimë e një prej planeve që drejtësia po përpiqet të rindërtojë, apo ekziston ende një pjesë e kësaj historie që nuk është zbuluar?
Sepse, ndërsa dosjet zbardhin bisedat, emrat dhe planet e dyshuara për vrasje, misteri i zhdukjes së tij vazhdon të mbetet i pazgjidhur.
Emisioni “Gjërat Tona”
Më të Lexuarat

LAJME
Tronditëse në vend! U kap me kokainë, gruaja shqiptare humb jetën teksa merrej në pyetje nga policia

LAJME
Tronditet qeveria, SPAK dërgon dosjen për ish-zvkryeministrën në Gjykatë

LAJME
"Çfarë kujtove, se s’kemi shtet?!", Rogert Sterkaj ironizon Luiz Ejllin pas rekursit të Prokurorisë: LL.A.P.E., çunat e Fierit të presin
Lajme
Shiko kategorinë →
LAJME
Ervis Martinaj dhe ndjekja për ekzekutimin e tij: Nga gjurmimi me dron e anije, deri tek biletat e vdekjes

LAJME
Tronditëse në vend! U kap me kokainë, gruaja shqiptare humb jetën teksa merrej në pyetje nga policia

LAJME
Tronditet qeveria, SPAK dërgon dosjen për ish-zvkryeministrën në Gjykatë

LAJME