Elisa Spiropali përjashtohet nga çdo funksion drejtues në PS

Nga Class• 14 November 2026

Elisa Spiropali përjashtohet nga çdo funksion drejtues në PS

Elisa Spiropali është përjashtuar nga të gjitha forumet e larta drejtuese të Partisë Socialiste.

Konfirmimi ka ardhur nga sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi,

 i cili ka sqaruar se vendimi përfshin largimin e saj nga Kryesia,

Asambleja Kombëtare dhe funksioni i drejtueses politike në njësitë e Tiranës.

Në një reagim publik, Klosi ka theksuar se Spiropali nuk është përjashtuar nga Partia Socialiste si anëtare, por do të mbetet vetëm një anëtare e thjeshtë, pa asnjë funksion në strukturat drejtuese. Ndërkohë, pritet të zyrtarizohet edhe largimi i saj nga grupi parlamentar socialist.

Duke iu përgjigjur raportimeve për përjashtimin e saj nga partia, Klosi i ka cilësuar ato si keqinterpretim të qëllimshëm, duke bërë dallimin mes përjashtimit nga forumet dhe përjashtimit nga anëtarësia.

“Keqkuptimi padyshim i qëllimshëm i prononcimit për median ka prodhuar një lajm të rremë. Po, Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca nuk mund të jenë më pjesë e asnjë forumi të partisë. Por në një parti si PS ku cilido aplikon online dhe bëhet anëtar, nuk ka sens përjashtimi edhe nga partia”, shkruan Klosi.

Sekretari i Përgjithshëm ka zbuluar gjithashtu se kundër vendimit janë shprehur tre anëtarë të Asamblesë, të cilët, sipas tij, kanë kundërshtuar parimisht përjashtimin.

“Fakti që nuk u votua në Asamble është shumë i thjeshtë. Tre shokë që ishin kundër parimisht për përjashtimin u shprehën lirisht dhe në mbyllje gjithçka ishte e qartë”, vijon ai.

Në përfundim, Klosi ka deklaruar se Partia Socialiste do të vijojë aktivitetin e saj, pavarësisht zhvillimeve të fundit dhe përplasjes së krijuar rreth pozicionit të Spiropalit në parti.