E fundit! Grupi i PS konfirmon vendimin e Ramës, përjashtohet Elisa Spiropali. Dy socialistët që

Elisa Spiropali nuk do të jetë më pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
Deputetët socialistë kanë konfirmuar vendimin e kryeministrit dhe njëkohësisht kreut të PS-së,
Edi Rama, për largimin e ish-kryetares së Kuvendit nga grupi parlamentar.
Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetari Ergys Gjençaj.
Mësohet se gjatë votimit kanë abstenuar dy deputetë socialistë, Erion Braçe dhe Bledi Çuçi.
Vendimi vjen pas disa ditësh paqartësie lidhur me statusin e Spiropalit brenda Partisë Socialiste, pasi Rama kërkoi largimin e saj nga forumet drejtuese dhe strukturat e partisë gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare.
Pas vetëlargimit të deputetes Marjana Koçeku nga grupi i PS, mazhoranca tashmë ka 81 deputetë në Kuvend. Vendimi i grupit vjen pas përplasjeve të fundit brenda mazhorancës dhe qëndrimet publike të Spiropalit.
Gjatë diskutimeve me dyer të mbyllura në Aasamblenë e PS, kryeministri Edi Rama kërkoi përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe të avokatit Plarent Ndreca nga strukturat e Partisë Socialiste.
Kërkesa e Ramës shkaktoi edhe kundërshti brenda mbledhjes. Fatmir Xhafaj, Erion Braçe dhe Pandeli Majko dolën kundër përjashtimit, duke kërkuar që ndaj tyre të merreshin masa, por jo të përjashtoheshin.
Në përfundim të Asamblesë, kërkesa nuk u hodh në votim. Kjo krijoi paqartësi mbi statusin e Spiropalit dhe Ndrecës në parti. Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, doli më pas me një sqarim publik, duke deklaruar se të dy nuk do të ishin më pjesë e asnjë forumi drejtues të partisë, por do të vijonin të mbeteshin anëtarë të saj.
Ndërkohë, më 21 nëntor, gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS-së për Tiranën, Rama iu referua sërish Spiropalit dhe Ndrecës, duke i cilësuar si persona që nuk kishin më vend në familjen politike socialiste.
“Të gjithë janë të nevojshëm, por askush nuk është i domosdoshëm”, ishte mesazhi i kryeministrit, i cili paralajmëroi se nuk do të kishte tolerim për ata që, sipas tij, nuk respektonin detyrimet ndaj partisë.
Ndërkohë, vetë Spiropali ka reaguar me mesazhe publike, duke lënë të kuptohet se nuk do të tërhiqet nga qëndrimet e saj. Ajo ka përdorur edhe shprehjen: “Sikur ma prenë kokën, por më dalin shtatë të tjera”, duke përcjellë një mesazh sfidues pas vendimit të drejtuesve socialistë.
© BalkanWeb



