“Dorëheqjen time nuk e imponojnë dot ata nga rruga”/ Rama su*lmon sërish protestuesit

Nga Class• 5 November 2026

“Dorëheqjen time nuk e imponojnë dot ata nga rruga”/ Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj protestave kundër qeverisë,

duke deklaruar se dorëheqja e tij nuk mund të imponohet nga protestuesit në rrugë.

Gjatë konferencës për shtyp me ambasadoren e Bashkimit Europian, Sofia Moreira de Sousa,

Rama i cilësoi molotovët, gurët dhe këngët kërcënuese si elemente që, sipas tij,

largojnë vëmendjen nga procesi i integrimit europian.

Kreu i qeverisë theksoi se objektivi i Shqipërisë është mbyllja e negociatave me BE-në në vitin 2027 dhe se, sipas tij, çdo institucion duhet të përqendrohet në përmbushjen e detyrave për këtë proces.

“Në asnjë rast dorëheqja e kryeministrit të zgjedhur demokratikisht dhe në kontratë me popullin nuk imponohet nga rruga. Në rastin tim ka edhe një specifikë tjetër, është raporti. Kilometri i fundit i negociatave është i ndarë në 1 mijë metra dhe çdo metër është i ndarë në 100 centimetra. Çdo centimetër do njeriun mbi kokë, do të bësh detyrën përkatëse, sepse këtu është e shkruar mbyllja e negociatave në 2027, objektiv ambicioz që arrihet duke u fokusuar çdo centimetër, jo të humbin mendjen pas këngëve kërcënuese, molotovëve, gurëve dhe agjendave që nuk kanë lidhje fare me këtë mision kombëtar”, deklaroi Rama.

Kryeministri u ndal edhe te pretendimet për përfshirjen e aktorëve të huaj në protestat në Shqipëri. Ai tha se ndikimi i tyre është real dhe përmendi Iranin, duke këmbëngulur se nuk ka pretenduar që protestat janë organizuar nga Teherani, por se, sipas tij, ka fakte për përfshirjen e tij.

Është e lehtë të bësh ironi me përfshirjen e aktorëve të huaj, por përfshirja e tyre në protestë është reale. Nuk isha unë apo një përfaqësues shqiptar, por një nga personalitetet e Francës që para pak ditësh tha shprehimisht që Shqipëria ka qenë pjesë e një lufte hibride. Nuk kam thënë kurrë që protestat i organizoi Irani, por duart e tij janë në bulevard dhe janë me fakte”, u shpreh kryeministri.

Rama pretendoi gjithashtu se struktura digjitale iraniane, të cilën e cilësoi si aktive në shpërndarjen e videove me zogj, ishte përfshirë edhe në Francë.

“Çuditërisht, ushtria digjitale iraniane, e identifikuar si shumë aktive në shpërndarjen e videove me zogj, u shfaq aktive në goditjen që iu bë Parisit. Këto janë fakte”, deklaroi Rama.

© BalkanWeb