Chrupalla kërkon kthimin e deri në 2,6 milionë personave nga Gjermania

Chrupalla kërkon kthimin e deri në 2,6 milionë personave nga Gjermania,
përfshirë refugjatët nga Siria, Afganistani dhe Ukraina
Bashkëkryetari i partisë gjermane „Alternativa për Gjermaninë“ (AfD),
Tino Chrupalla, ka kërkuar shqyrtimin e kthimit të deri në 2,6 milionë personave nga Gjermania, përfshirë shtetas sirianë, afganë dhe ukrainas që kanë përfituar status mbrojtjeje.
Në një intervistë për podkastin „Unter zwei“ të gazetës „Bild“, Chrupalla deklaroi se kthimi i këtyre personave duhet të shqyrtohet në rastet kur pushojnë së ekzistuari arsyet që kanë shërbyer si bazë për dhënien e mbrojtjes.
Sipas tij, kjo politikë duhet të përfshijë personat që tashmë kanë detyrim të largohen nga Gjermania, si dhe shtetasit e huaj të dënuar për vepra penale. Megjithatë, propozimi i tij shtrihet edhe te personat që aktualisht gëzojnë status mbrojtjeje, nëse ndryshojnë rrethanat në vendet e origjinës.
Chrupalla argumentoi se përfundimi i luftës në Ukrainë, apo një përmirësim i ndjeshëm i situatës së sigurisë në Siri dhe Afganistan, mund të krijojë kushte për kthimin e një pjese të këtyre personave.
Deklarata ka nxitur reagime dhe kritika nga ekspertë të së drejtës së migracionit, si dhe debate brenda vetë AfD-së. Profesori i së drejtës në Universitetin e Konstancës, Daniel Thym, ka vlerësuar se paraqitja e shifrave në këtë mënyrë mund të krijojë një perceptim të pasaktë te publiku, pasi statusi i mbrojtjes nuk përfundon automatikisht për të gjithë shtetasit e një vendi, por kërkon vlerësim individual të rrethanave.
Sipas të dhënave të raportuara nga mediat gjermane dhe „Correctiv“, në fund të qershorit 2026 rreth 259.000 persona në Gjermani kishin detyrim për t’u larguar nga vendi. Rreth 77 për qind e tyre përfitonin nga një shtyrje e përkohshme e dëbimit, e njohur si „Duldung“.
Kjo masë zbatohet në rastet kur largimi nuk mund të realizohet përkohësisht për shkak të pengesave ligjore ose faktike, si problemet shëndetësore, mungesa e dokumenteve të udhëtimit apo pamundësia për të organizuar dëbimin.
Chrupalla është kritikuar së fundmi edhe nga disa bashkëpartiakë, pasi kishte dënuar veprimet e shërbimit amerikan të imigracionit ICE. Deklarata e tij e fundit për kthimin e miliona personave ka rihapur debatin mbi qëndrimet dhe politikën migratore të AfD-së.



