Vera “rikthehet” bëhuni gati për plazh/ Temperaturat do arrijnë

Meteorologu Hakil Osmani ka bërë parashikimin e motit për javën, duke bërë të ditur se temperaturat do të mbeten të larta për periudhën, pavarësisht se kemi hyrë në stinën e vjeshtës. Pjesa më e madhe e vendit pritet të ketë mot të qëndrueshëm dhe intervale të gjata me diell.
Sipas Osmanit, mëngjeset do të vijojnë të jenë të freskëta, ndërsa deri të mërkurën dhe të enjten do të dominojnë kthjellimet dhe temperaturat relativisht të larta. Në pjesën e dytë të javës parashikohet shtim gradual i vranësirave, por pa ndryshime të ndjeshme të kushteve atmosferike në pjesën më të madhe të territorit.
“Kjo javë parashikohet të jetë nën mbizotërimin e motit të qëndrueshëm, duke bërë që të kemi intervale të gjata me diell. Më të dukshme do të jenë gjatë orëve të para të mëngjesit edhe mesditës, kryesisht në vijën bregdetare dhe qytetet e zonës së ulët. Ndërsa në zonat malore, gjatë orëve të pasdites herë pas here do të ketë kalime të lehta të vranësirave.
Pjesa e parë e javës, pra deri ditën e mërkurë e ditën e enjte, pritet që kryesisht të kemi dominim të intervaleve të gjata me kthjellime, ndërsa pjesa e dytë e javës pritet t’i ketë vranësirat disi më të shpeshta, duke bërë që përgjatë fundjavës, kryesisht dita e diel, herë pas here në zona të izoluara në shtrirjen lindore të kemi vetëm momente të pakta me pika shiu. Ndërsa pjesa tjetër e territorit do të jetë nën mbizotërimin e motit të qëndrueshëm.
Intervalet e gjata me diell do të bëjnë që në orët e mesditës të kemi dhe rritje të temperaturave të ajrit, duke bërë që deri ditën e mërkurë territori shqiptar maksimalisht të kapë vlerën 30 apo 31 °C në qytetet e zonës së ulët dhe në një pjesë të mirë të vijës bregdetare. Ndërsa në zonat malore maksimumet do të jenë rreth vlerës 23 apo 24 °C.
Duke filluar nga dita e enjte e në vijim, në orët e mesditës do të kemi dhe një rënie graduale të temperaturave të ajrit, duke bërë që maksimumet të jenë rreth vlerës 28 apo 27 °C. Janë temperatura rreth 3 gradë më të larta se vlera normale për sa i përket fillimit të tetorit.
Nëse flasim pastaj për orët e para të mëngjesit, minimumet janë regjistruar në 8 °C mëngjesin e sotëm në qytetet e zonës malore, ndërsa në ultësirën perëndimore kanë luhatur nga 12 pranë vlerave 15-16 °C në vijën bregdetare. Duke filluar nga dita e martë, të paktën deri në mëngjesin e ditës së enjte, pritet që temperaturat e ajrit të kenë një rritje të lehtë graduale, duke bërë që ato të jenë rreth vlerës 10 °C në qytetet e zonës malore, ndërsa në ultësirën perëndimore të luhaten nga 14 e deri në 17 °C në vijën bregdetare”, u shpreh Osmani.



