Pas tradhtisë, drejt divorcit/ Zhaku flet hapur për fundin e martesës së saj

Moderatorja Inida Gjata, e njohur për publikun si Zhaku, ka zbuluar se martesa e saj po shkon drejt fundit.
E ftuar këtë të martë në emisionin “Shije Shtëpie”,
gjatë një diskutimi mbi tradhtinë dhe marrëdhëniet në çift,
Gjata foli edhe për jetën e saj personale, duke bërë të ditur se ndodhet në proces divorci.
“Jam drejt ç’martesës. Më uroni ç’martesë të mbarë”, u shpreh ajo, pa dhënë detaje të tjera mbi arsyet që kanë çuar në këtë vendim.
Duke folur për tradhtinë, moderatorja tregoi se dikur e kishte përjetuar shumë rëndë, ndërsa sot e sheh ndryshe.
“Me thënë të drejtën, unë e kam përjetuar shumë keq tradhtinë, po me kalimin e kohës kam kuptuar se e kam ngarkuar veten kot me emocione negative, sepse njeriu ecën përpara dhe këto gjëra nuk kanë më pikë rëndësie dhe të tjera gjëra bëhen më të rëndësishme se kjo”, tha ajo.
Gjata e përshkroi tradhtinë si një përjetim që mund ta trondisë rëndë një person, duke shtuar se emocionet negative me kalimin e kohës humbasin peshën që kanë në momentin e parë.
Por deklarata e saj më e fortë lidhej me martesën. Zhaku tha se nuk ka më besim te martesa si institucion dhe e konsideroi atë një zgjedhje që mund t’i sjellë më shumë vështirësi sesa zgjidhje një çifti.
“S’ka pse jeta të të bëhet ferr duke mbajtur kryqe që nuk i mban dot. Është e vështirë nga ana burokratike që të ndërpresësh një marrëdhënie, prandaj do të sugjeroja që njerëzit të mos martohen. Nëse duhet të rrinë me dikë, të rrinë me dikë. Nuk kam aspak besim tek martesa, mendoj që është gabim të martohesh. Nuk ke ç’e do, është diçka që nuk ka ç’të duhet në jetë. Vetëm halle ke!”, u shpreh ajo.



