Pas kritikave, Luiz Ejlli zbulon kuptimin e vërtetë të emisionit të tij

Premiera e emisionit “Live me Luizin” në Top Channel ka sjellë jo vetëm interes për debutimin e Luiz Ejllit si moderator,
por edhe diskutime për titullin e formatit, pasi u zbulua se puntata e parë ishte regjistruar paraprakisht.
Një pjesë e kritikave lidhej pikërisht me përdorimin e fjalës “Live”, që shumë shikues e kishin interpretuar si një tregues se emisioni transmetohej drejtpërdrejt.
Pas komenteve në rrjetet sociale, Luizi ka vendosur t’i përgjigjet një ndjekëseje që ironizonte këtë detaj, duke shpjeguar se çfarë nënkupton titulli i programit.
“Live me mua janë të ftuarit, pra live me Luizin. Gjithashtu muzika është live”, shkroi këngëtari.
Me këtë përgjigje, Luizi sqaroi se fjala “Live” nuk i referohet domosdoshmërisht transmetimit në kohë reale, por pranisë së të ftuarve në studio dhe interpretimit të muzikës gjatë emisionit.
Diskutimet nisën pas premierës së së premtes, ku mes të ftuarve ishin Alketa Vejsiu, Manjola Nallbani, Sinan Vllasaliu, Gjergj Leka dhe Eli Fara.
Pikërisht prania e Eli Farës kishte shtuar kuriozitetin, pasi këngëtarja ishte përfshirë në diskutimet publike të ditëve të fundit lidhur me videot private të shpërndara në internet. Megjithatë, gjatë transmetimit u shfaq shënimi se episodi ishte i regjistruar.
Edhe Arjan Konomi ishte mes personazheve që kritikuan Top Channel, duke e cilësuar si çorientues përdorimin e titullit “Live me Luizin” për një emision të regjistruar.
Tashmë, me përgjigjen e tij në Instagram, Luiz Ejlli ka dhënë shpjegimin për zgjedhjen e titullit, duke bërë të qartë se formati nuk pretendon domosdoshmërisht të transmetohet drejtpërdrejt.



