Marrëveshje me PDK-në?! Kryeministri Kurti sapo dha lajmin e fundit

Nga Class• 28 September 2026

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është parë mëngjesin e sotëm duke u larguar nga objekti i Kuvendit të Kosovës, rreth dy orë para nisjes së seancës plenare të paraparë për në orën 11:00.

Seanca e sotme është thirrur në një moment të rëndësishëm të zhvillimeve politike dhe institucionale në vend.

Në momentin kur po largohej nga Kuvendi, Kurti është pyetur nga gazetarët për takimin që një natë më parë zhvilloi me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza. Kryeministri nuk ka dhënë përgjigje lidhur me përmbajtjen e bisedës.

Hamza ishte parë të dielën në mbrëmje duke dalë nga ndërtesa e Qeverisë pas takimit me Kurtin. Deri në orët e vona të mbrëmjes, as Kurti dhe as Hamza nuk kishin dhënë hollësi zyrtare për temat e diskutuara.

Raportimet e deritanishme kanë përmendur si tema të mundshme të diskutimit zhvillimet në Kuvend, çështjen e presidentit dhe nismat që lidhen me Dhomat e Specializuara, por këto nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga palët.

Bashkë me Kurtin, nga Kuvendi drejt objektit të Qeverisë është parë duke shkuar edhe Hekuran Murati.

Murati ka qenë më herët pjesë e ekipit të Kurtit në bisedimet me LDK-në për çështjen e presidentit. Në takimin e 26 gushtit mes Kurtit dhe Lumir Abdixhikut, Kurti kishte konfirmuar se në anën e LVV-së në diskutime ishin Murati dhe Arbërie Nagavci, ndërsa palët kishin diskutuar edhe emra konkretë për postin e presidentit.

Zhvillimet e sotme vijnë vetëm disa orë pas takimeve që Kurti zhvilloi ndaras me Bedri Hamzën dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, në prag të seancës së Kuvendit.