LAJME / E Hënë 22 Janar 2024, 17:05

U kërcënua me jetë, Garda merr në mbrojtje gjyqtaren Arnisa Këlliçi

Komisioni për Mbrojtjen e Magjistratëve miratoi këtë të hënë kërkesën e gjyqtares Arnisa Këlliçi, për mbrojtje të posaçme. Sipas gazetares Glidona Daci, mbrojtja e posaçme nga Garda e Republikës është miratuar për një afat kohor 3 mujor me të drejtë rishikimi në fund të këtij afati

Gjyqtarja e Tiranës iu drejtua me kërkesë për mbrojtje Këshillit të Lartë Gjyqësor të shtunën, pasi mori një letër kërcënuese për të dhe familjen. Ajo kërkoi po ashtu hetime nga policia për të gjetur autorët.

Një ditë më parë, burime zyrtare nga policia thanë për Tv Klan se hetimet janë duke vijuar, por ende nuk kanë arritur të identifikojnë kush ia ka nisur letrën me mesazhin kërcënues për jetën e magjistrates dhe fëmijëve të saj (Lexo më shumë).

Nga ana tjetër, në letrën e dërguar pranë KLGJ, Këlliçi pretendon se ky ishte kërcënimi i dytë që i është bërë, pasi më herët ishte njoftuar edhe nga kancelari i Gjykatës së Tiranës për një kërcënim në emrin e saj./tvklan.al