
Euro këtë fundjavë ka kapur pikën më të ulët në tre muajt e fundit, po këmbehet me 103 lekë.
Sipas kursit të publikuar nga Banka e Shqipërisë, valuta europiane po këmbehet mesatarisht për 103 lekë. Nga të dhënat vërehet se ky nivel i kursit euro-lek është i barabartë me ditët e para të muajit gusht ku në shitje euro këmbehej me 102.35 lekë, ndërsa u ble me 101.35 lekë.
Të dhënat e kursit të këmbimit të Bankës Qendrore tregojnë se edhe muaji nëntor po konfirmon pozitat e forta të Lekut në kursin e këmbimit valuator.
Një euro e dobët është favorizuese për të frenuar rritjen e nivelit të inflacionit në vend. Gjatë muajit tetor inflacioni arriti në 3.8%, niveli më i ulët i shënuar që prej shkurtit të vitit 2022, para nisjes së luftës në Ukrainë.
Një euro e shvlerësuar është pozitive për qytetarët dhe bizneset që kanë kredi në euro, pasi paguajnë më pak për këstin e radhës, por ndikon negativisht në nivelet e eksporteve shqiptare.
Bashkë me euron janë zhvlerësuar edhe valutat e tjera kryesore si dollari apo paundi.
