LAJME / E Diel 12 Nëntor 2023, 03:03

Realizohet me sukses transplanti i parë në botë i syrit

Në operacion morën pjesë 140 kirurgë, syri i transplantuar tregon shenja se është i shëndetshëm

Kirurgët në Nju Jork kanë kryer transplantin e parë të gjithë syrit te një njeri, një arritje që është përshëndetur si një zbulim i madh. Operacioni, ku morën pjesë 140 kirurgë, u krye gjatë një transplanti të pjesshëm të fytyrës dhe sipas mjekëve që e kryen, rezultoi i suksesshëm.

Fakti që ne transplantuam një sy është një hap i madh përpara, diçka për të cilën është menduar me shekuj, por nuk është kryer kurrë,” tha Dr. Eduardo Rodriguez, mjeku që drejtoi ekipin që kreu operacionin, që zgjati 21 orë.

Deri më tani, mjekët kanë qenë në gjendje të transplantojnë vetëm kornenë. Marrësi i transplantit ishte Aaron James, një banor nga Arkansas, i cili i mbijetoi një aksidenti në punë ku mbeti e dëmtuar ana e majtë e fytyrës, hundës, gojës dhe syri i majtë.

“Ata kurrë nuk e prisnin që të funksiononte dhe më thanë që në fillim. Por vetëm fakti që është i gjallë, gjaku rrjedh nëpër të, ky është një hap i rëndësishëm dhe u thashë edhe mjekëve, “Edhe nëse nuk shoh, ndoshta e gjitha kjo mund t’u shërbejë për të mësuar më shumë në mënyrë që të ndihmoni një person tjetër”. Kështu që bëjeni këtë operacion. Shpresojmë që kjo të hapë një rrugë të re.”

Aktualisht, syri i transplantuar nuk po komunikon me trurin përmes nervit optik. Megjithatë, mjekët kishin paralajmëruar se diçka e tillë do të ndodhte.

“Nëse do të ekzistonte mundësia e rifitimit të shikimit, do të ishte e mrekullueshme. Por kishte shqetësime të mëdha. Qëllimi ishte që ne të kryenim operacionin teknik, në mënyrë ideale dhe çfarëdo që të ndodhte më pas do ta përcaktonim   në studimet tona të ardhshme.”

Për të inkurajuar shërimin e lidhjes midis nervave optike të dhuruesit dhe marrësit, kirurgët morën qeliza burimore të rritur nga palca e eshtrave të dhuruesit dhe i injektuan ato në nervin optik gjatë transplantimit, duke shpresuar se do të zëvendësonin qelizat e dëmtuara dhe do të mbronin nervin.

Syri i transplantuar tregon shenja “të jashtëzakonshme” të të qenit i shëndetshëm, por Aaron James ende nuk mund të shohë.

“Unë nuk mendoj se dikush mund të pretendojë se do të shohë. Por në të njëjtën kohë, ata nuk mund të pretendojnë se ai nuk do të shohë.Në këtë pikë, mendoj se jemi mjaft të kënaqur me rezultatin që mundëm të arrijmë me një operacion teknikisht shumë të ndërlikuar.”

James shpreson se shikimi i tij do të kthehet me kalimin e kohës dhe se operacioni inovativ që i është nënshtruar do të ndihmojë edhe të tjerë persona që vuajnë si ai.