LAJME / E Mërkurë 22 Korrik 2026, 14:02

Përse po ndalen shtesat për këta fëmijë? Ministra e Financave jep detaje!

Këshilltari për media në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Liridon Llozani, ka konfirmuar se procesi i kontrollit tashmë është në zhvillim dhe përfshin një numër të konsiderueshëm përfituesish.

“Ka një numër të atyre që kanë përfituar dhe që nuk kanë qenë banorë të Kosovës. Është një numër i konsiderueshëm i tyre që i janë nënshtruar kontrollit. Meqenëse procesi vazhdon, nuk e kam shifrën e saktë se sa prej tyre janë larguar nga skema e përfitimit për shtesa për fëmijë”, ka deklaruar Llozani.

Sipas Ministrisë, verifikimi po realizohet përmes platformës e-Kosova, si dhe duke krahasuar të dhënat e Departamentit të Skemave Sociale me bazat e të dhënave të institucioneve të tjera shtetërore. Qëllimi është identifikimi i rasteve kur përfituesit nuk banojnë më në Kosovë ose nuk i plotësojnë kriteret ligjore për përfitim.

Njohësit e politikave sociale e konsiderojnë këtë proces të domosdoshëm. Hulumtuesja e çështjeve sociale dhe arsimore, Bardha Qirezi, vlerëson se sistemi aktual ka mangësi dhe se mungesa e ndërlidhjes së plotë të sistemeve elektronike krijon hapësirë për keqpërdorime.

Sipas saj, shpërndarja e ndihmave pa një sistem të integruar që verifikon vendbanimin, statusin e punësimit dhe të dhënat e tjera sociale e bën më të vështirë kontrollin efektiv të përfituesve.

Ministria ka bërë të ditur gjithashtu se skema e shtesave për fëmijë, së bashku me disa skema të tjera sociale, do të rregullohet me një ligj të ri, i cili do të përcaktojë në mënyrë të qartë kriteret, kushtet dhe procedurat e përfitimit.

Llozani ka theksuar se procesi i verifikimit do të vazhdojë deri në përfundimin e kontrollit të të gjitha rasteve, ndërsa baza e re ligjore pritet të sjellë një sistem më të qëndrueshëm dhe më transparent.

Rritja e shumës së shtesave ka sjellë edhe rritje të numrit të përfituesve, duke e bërë edhe më të rëndësishëm kontrollin e listave. Institucionet synojnë që miliona euro nga buxheti i shtetit të përfundojnë vetëm te familjet që jetojnë në Kosovë dhe që i plotësojnë kushtet e përcaktuara me ligj.

Deri në miratimin e legjislacionit të ri, verifikimet do të vazhdojnë përmes platformave digjitale dhe shkëmbimit të të dhënave ndërmjet institucioneve, ndërsa familjet që rezultojnë se nuk i plotësojnë kriteret pritet të largohen nga skema e përfitimit, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE