LAJME / E Shtunë 13 Janar 2024, 18:06

“Jam i shqetësuar për fëmijët”, flet nga burgu shqiptari që vrau kunatin në Greqi

“Ai është i shqetësuar vetëm për fëmijët e tij” kështu thotë avokati i shqiptarit që vrau kunatin e tij.

Pak ditë më parë, Fatmir Talellari kishte zbuluar abuzimin seksual që kishte pësuar vajza e tij që në moshën 9-vjeçare dhe shantazhin për të mos folur.

Pas presioneve të shumta dhe ndërhyrjes së avokatit, vajza 18-vjeçare i tregoi babait se ishte vëllai i njerkës ai që e kishte përdhunuar e abuzuar me të. Pak orë më vonë, 50-vjeçari mori në dorë një armë dhe vrau kunatin e tij.

Por tani që është në burg në pritje të vendimit ndaj tij, shqiptari është i shqetësuar për fëmijët pasi ka 3 vajza nga martesa e parë dhe një djalë nga martesa e dytë.

Avokati i shqiptarit duke folur për mediat greke tha:

Autori i ka kuptuar përmasat e pasojave të veprimit të tij dhe e vetmja gjë që e shqetëson është e ardhmja e fëmijëve të tij. Ai pyet vetëm për fëmijët e tij dhe shqetësohet se si do të jetojnë pasi ai ishte mbështetës i tyre. I ka siguruar siguri në jetë, i ka mbështetur financiarisht”.

18-vjeçarja që akuzoi viktimën 33-vjeçar si zhvatës dhe përdhunues fëmijësh ka në krah dy motrat e saj. Janë marrë deklarata dhe janë konfirmuar deklaratat e motrave të tyre ndërsa nga hetimi ka rezultuar se edhe persona të tjerë e kanë ditur se çfarë po ndodhte dhe do të thirren për të dëshmuar.

Ndërkohë viktima Erjon Pelivani i kishte vënë syrin vajzës së dhëndrit që në moshën 9-vjeçare. Fillimisht, duke përfituar nga mungesa e prindërve teksa ata ishin në punë, ai ishte afruar vajzës duke e ngacmuar verbalisht. Më pas nisi ta përkëdhelte dhe ta prekte në vende të fshehta, ndërsa sapo e mitura mbushi 12 vjeç, ka vazhduar ta përdhunojë.