
Islanda është goditur nga rreth 1400 tërmete gjatë 24 orëve të fundit teksa shpërthimet vullkanike janë çështje ditësh për të ndodhur sipas autoriteteve atje.
Me 33 vatra vullkanike aktive, Islanda ka numrin më të lartë në Evropë teksa mijëra lëkundje janë regjistruar që nga fundi i tetorit.
Autoritetet në Islandë kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme pasi një sërë tërmetesh tronditën gadishullin Reykjanes në jugperëndim të vendit, duke rritur frikën për një shpërthim vullkanik në rajon.
Sipas Zyrës Meteorologjike Islandeze (IMO), një shpërthim mund të ndodhë "brenda pak ditësh". Planet e evakuimit janë vënë në zbatim për qytetin e Grindavik, me një popullsi prej rreth 4,000 banorësh, që ndodhet tre kilometra në jug-perëndim të zonës ku u regjistrua tufa sizmike të premten. Autoriteti i mbrojtjes civile njoftoi gjithashtu se po dërgonte varkën patrulluese për qëllime sigurie. Të enjten, ‘Laguna Blu’, një zonë turistike pranë Grindavikut, e njohur për llixhat e saj gjeotermale, u mbyll si masë paraprake.
Rreth 24,000 lëkundje janë regjistruar në ishull që nga fundi i tetorit, sipas IMO, me një "tuzë të dendur" prej pothuajse 800 tërmetesh të regjistruara midis mesnatës dhe të premtes. IMO vuri në dukje një akumulim të magmës në një thellësi prej pesë kilometrash, e cila, nëse dilte në sipërfaqe, do të shkaktonte një shpërthim vullkanik. Që nga viti 2021, tre shpërthime kanë ndodhur në gadishullin Reykjanes, në mars 2021, gusht 2022 dhe korrik 2023, të gjitha larg infrastrukturës ose zonave të populluara. Kujtojmë që gjatë shpërthimit të fundit në vitin 2010, reja e tymit bllokoi qiejt evropianë dhe çoi në anulimin e 100,000 fluturimeve, me dhjetë milionë pasagjerë të bllokuar.
